Në prag të protestës së të martës, kryeministri Rama ndryshon qeverinë? Burime nga mazhoranca pohuan mundësinë e ndryshimeve në qeveri të hënën. Të njëjtat burime thanë se dy dikasteret më të mundshme për ndryshim janë Financat dhe Bujqësia.

Delina Ibrahimaj dhe Frida Krifca kanë qenë në qendër të kritikave për shkak të krizës, që u shoqërua me rritje të menjëhershme çmimesh dhe me protesta.

Ndërkohë, qëndrimet e tyre publike vetëm sa e përkeqësuan reagimin në popullatë. Ministrja Ibrahimaj nxiti një valë të fortë reagimesh popullore, kur deklaroi se me 140 euro në muaj nuk konsiderohesh i varfër, ndërsa kolegia e saj Krifca është bërë shpesh objekt memesh me deklaratat për akademinë e barinjve, vendosjen e paneleve diellore në stane apo keqmenaxhimin dhe reagimin e vonuar lidhur me virusin e shpendëve që shfarosi pulat në pularitë më të mëdha të Durrësit.

Prej ditësh është folur mundësia e ndryshimeve në kabinetin qeveritar, por sipas burimeve duhet pritur e hëna për zyrtarizim nga kryeministri.

Ndërkohë, shoqëria civile ka thirrur një tjetër protestë në orën 17.00 të së martës, si reagim ndaj rritjes së çmimeve të produkteve të shportës dhe karburanteve. Ditët e fundit, çmimi i naftës ka kapur vlerën 245 lekë.