Dy vite më parë në kushte të jashtëzakonshme, kur bota ballafaqohej me pandeminë e koronavirusit, Maqedonia e Veriut përfundoi procesin e saj të anëtarësimit në NATO. E dy vjet pas këtij anëtarësimi, Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski shprehet se zhvillimet e paparashikueshme që po ndodhin në botë, tregojnë vendimmarrjen e drejtë të asaj kohe.

“Dy vite më vonë, në jehonën e krizës më të madhe ushtarake dhe ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore, e shohim drejtësinë e këtij vendimi. Në këto kohë të trazuara, kur e tërë bota kujdeset për të ardhmen dhe sigurinë, Maqedonia e Veriut është pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake politike e cila e garanton integritetin tonë territorial dhe sigurinë”.

E ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, anëtarësimin e RMV-së në NATO e quan garanci të fuqishme për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e vendit.

“U integruam më shumë në komunitetin euroatlantik, si aleatë me shtetet më të mëdha dhe më të forta, me demokracitë më të zhvilluara dhe më stabile me të cilat ndajmë vlerat e përbashkëta. Në rrethanat aktuale, gjëja më e rëndësishme është të kemi miq dhe aleatë të vërtetë, me të cilët së bashku do të marrim vendime të rëndësishme dhe do të kontribuojmë në sigurinë tonë të përbashkët”.

“Data e sotme është një nga më të rëndësishmet që nga shpallja e pavarësisë së vendit, ditë kur përfunduam objektivin strategjik, anëtarësimin në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike. Së bashku jemi më të fortë”, tha ministrja e Mbrojtjes.

Me rastin e dy viteve anëtarësim në NATO, ndërtesa e MPJ-së mbrëmjen e së shtunës u ndriçua me ngjyrat e Aleancës veriatlantike.