Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me ambasadorin në largim të Bashkimit Europian, Luigi Soreca.
Me anë të një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit shkruan se gjatë takimit theksoi domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut për vendet që aspirojnë integrimin europian.
Ndër të tjera, Meta shkruan se çelja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka rëndësi parësore si për vendet tona, ashtu dhe ato të BE-së.
Postimi i Ilir Metës:
Kënaqësi të takohesha me Ambasadorin Luigi Soreca, me rastin e përfundimit të mandatit të tij si Ambasador i Delegacionit të BE në Tiranë. Theksova domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, si shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit në një vend, që aspiron anëtarësimin në BE.
Çelja e negocatiave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka rëndësi parësore, si për vendet tona ashtu edhe për vetë BE. Në kontekstin e zhvillimeve të fundit, evidentova rëndësinë që ka linjëzimi i plotë i politikës së jashtme dhe sigurisë së Shqipërisë me atë të BE, përfshirë me zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë.





