Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar në mënyrë të menjëhershme që Këshilli i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë t’i hapë rrugën arrestimit të deputetit të PS-së Alqi Bllakos për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër arresti si tw implikuar për aferën e inceneratorëve.

Ndryshe nga Grupi i Rithemelimit, Alibeaj si kryetar i komanduar i PD-së ka inkurajuar drejtësinë që të zbardhë ngjarjen për të cilën e etiketoi si “vjedhjen më të madhe të shekullit”. Alibeaj është ndërkohë dhe kryetar i grupit parlamentar të PD-së, si dhe anëtar i Këshillit të Mandateve nga ku do merret dhe vendimi nëse heqja e imunitetit të deputetit Bllako do të kalojë për votim në Kuvend.

“Pasi jemi njohur nëpërmjet medias me kërkesën e SPAK për kërkesën për autorizim për procedim, kërkojmë mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Mandeteve në Kuvendin e Shqipërisë,  për të shqyrtuar mandatin e deputetit të PS, Alqi Bllako, ndaj të cilit është vendosur masa e arrestit për aferën e inceneratorëve.

Nuk duhet pritur më asnjë minutë. Koha është tani.

Partia Demokratike është e vendosur për ta çuar deri në fund këtë çështje dhe inkurajon drejtësinë të zbardhë deri në fund vjedhjen e shekullit dhe të vendosë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit, deri tek zyrtari më të lartë i përfshirë”, shkruan Alibeaj.