I pari që ka dalë nga mbledhja e grupit parlamentar të PD ka qenë Enkelejd Alibeaj.

Kryetari i grupit në fjalë foli para gazetarëve, derisa doli edhe Sali Berisha.

Pikërisht në këtë moment është vënë re diçka qesharake, teksa gazetarët ia kanë hequr mikrofonat Aliabeajt dhe kanë rendur te lideri historik i demokratëve.

Kreu i deputetëve demokratë tha në fjalën e tij: “Berisha nuk është pjesë e grupit parlamentar, pasi është i përjashtuar. Sinjalet e bashkimit nuk mund të jepen duke pushuar selinë, duke ardhur në mënyrë të dhunshme si Berisha.

Ka një vendim të parlamentit, i cili ka konstituar cili është grupi parlamentar i PD, Berisha nuk është pjesë. Për të gjetur gjuhën e përbashkët, duhen bërë ca akte të rëndësishme që të perceptohen nga njerëzit.

Këto janë ndërprerja e gjuhës linçuese, ndërpreja e proceseve paralele që po zhvillohen dhe thellojnë ndasinë. Kështu nuk po japim sinjale bashkimi.

Të ndërpritet kjo gjuhë dhe këto sinjale të njëanshme që demokratët në bazë të bashkohen. Ky është hapi i parë”.