Dhjetëra studentë të UAMD-së iu bashkuan ditën e sotme fushatës së Kryqit të Kuq Durrës për dhurimin e gjakut. Ermira Guza, koordinatorja e Kryqit të Kuq Durrës theksoi rëndësinë që marrin fushata të tilla për fëmijët talasemikë që kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme gjak.

Ndërkohë mjeku Endrit Susaj, përgjegjës i Bankës së Gjakut Lushnje nënvizoi gjatë fjalës së tij se synojnë që përmes sensibilizimit të studentëve të UAMD-së, por edhe qytetarëve, të mund të grumbullojnë sasitë e nevojshme të gjakut të paktën për një javë.

Fëmijët talasemikë kërkojnë çdo dy javë sasi të mëdha gjaku. Është mjaft e rëndësishme që ne të sigurojmë sasi të mjaftueshme të paktën deri për javën tjetër. Unë u bëj thirrje të gjithë studentëve, por edhe qytetarëve që të sensibilizohen me nevojat e tyre dhe të dhurojnë gjak. Këto fushata nuk mjaftojnë, por përveç dhurimit vullnetar ne na ndihmon edhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut me stokun që ka sepse sasia që ne grumbullojmë është e pamjaftueshme”,– tha mjeku Susaj për “DurrësLajm”.

Interesi i studentëve të UAMD-së ishte i madh dhe shumë të rinj dhuruan vullnetarisht gjak për t’u ardhur sadopak në ndihmë fëmijëve talasemikë.

M.B.