Kryeministri britanik Boris Johnson deklaroi sonte se do të mbyllen të gjithë korridoret e fluturimeve nga ora 4:00 e ditës së hënë.
Frika nga virusët mutantë ka bërë që kushdo që do të vijë në Britani, duhet të jetë testuar negativ gjatë 72 orëve të fundit. Edhe në këtë rast, ata duhet të izolohen për 10 ditë, ose pesë nëse kanë një tjetër test negativ gjatë kësaj periudhe.
Sipas BBC, pezullimi i korridoreve do të zgjasë për një muaj. Ky vendim mund të zgjatet në varësi të situatës. Johnson u bëri thirrje britanikëve që të qëndrojnë në shtëpi këtë fundjavë.
Britania ka njohur një shpërthim të infeksioneve dhe vdekjeve si pasojë e një varianti të koronavirusit që përhapet me lehtësi.
Vendi po vazhdon fushatën e vaksinimit. Deri më tani janë vaksinuar 3.2 milionë njerëz në mbarë Britaninë e Madhe.