Ukraina dhe Rusia kanë realizuar sot një tjetër shkëmbim të robërve të luftës, ku secila palë ka liruar nga 160 persona, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

“160 ushtarakë rusë janë riatdhesuar nga territori i kontrolluar nga regjimi i Kievit. Në këmbim, janë dorëzuar 160 robër lufte të forcave të armatosura ukrainase”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një postim në platformën X, bëri të ditur se: “Vazhdojmë t’i kthejmë ukrainasit nga robëria ruse. Sot u liruan 160 ushtarakë. Të gjithë ishin mbajtur rob që nga viti 2022. Mes tyre ka pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Shërbimit Shtetëror të Transportit Special, Gardës Kombëtare dhe Shërbimit Kufitar.

Ata mbrojtën Ukrainën në Mariupol dhe Azovstal, si edhe në frontet e Donetskut, Luhanskut, Kharkivit, Zaporizhias, Kievit, Chernihivit dhe Sumit. Falënderoj të gjithë ekipin tonë, i cili punon çdo ditë për t’i kthyer njerëzit tanë në atdhe.

Një falenderim i veçantë shkon për të gjitha njësitë tona në vijën e parë të frontit, të cilat forcojnë ‘rezervën e shkëmbimit’ të Ukrainës dhe, me guximin e tyre, bëjnë të mundur kthimin e njerëzve tanë në shtëpi.

Ne nuk harrojmë askënd që vazhdon të mbahet rob. Shqyrtojmë çdo emër. Duhet t’i kthejmë të gjithë, si ushtarakët, ashtu edhe civilët.”

Shkëmbimet e robërve të luftës mbeten një nga fushat e pakta të bashkëpunimit mes Rusisë dhe Ukrainës, si edhe rezultati i vetëm konkret i negociatave mes dy vendeve.