Dy Prilli është Dita Ndërkombëtare e Autizmit, që synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm.

Sot në kuadër të kësaj dite, psikologia e shkollës “Mihal Ekonomi” Bruna Abdyli, së bashku me nxënësit dhe mësuesit e ciklit fillor, zhvilluan një vizitë në ambientet e Qendrës Komunitare për Fëmijë me Aftësi të Kufizuara.

Ky aktivitet u zhvillua për ndërgjegjësimin dhe informimin e nxënësve për të mbështetur gjithëpërfshirjen dhe për t’i pranuar bashkëmoshatarët me aftësi ndryshe.

Nxënësit kishin përgatitur edhe disa dhurata të vogla për bashkëmoshatarët e tyre. Fëmijët e “Mihal Ekonomit”, përveçse gëzuan sot këta vogëlushë, dhanë edhe mesazhin domethënës e të rëndësishëm që “Autizmi nuk zgjedh”.

* Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3 vjeç.