Nga data 1 prill, pensionistët, krahas pensionit mujor, kanë nisur të tërheqin pranë filialeve të postës edhe shtesën e pensionit në vlerën 30 mijë lekë, në kuadër të Paketës së Rezistencës Sociale që qeveria Rama hartoi për t’ua lehtësuar përballimin e rritjes së çmimeve.
Rritjen e përfitojnë pensionistët që e kanë pensionin nën 150 mijë lekë, ndërsa të gjithë të tjerët përfitojnë vetëm indeksimin e tij, në masën 3.3%.
Për shumë nga pensionistët, kjo shtesë nuk i ndihmon aspak për përballimin e rritjes së çmimeve të produkteve të shportës.
Shumë prej tyre thonë për “DurrësLajm” se pensionet i kanë të ulta dhe nuk arrijnë të përballojnë koston e jetesës.
“Kjo shtesë mua nuk më ndihmon fare. Unë marr vetëm 80 mijë lekë në muaj dhe këto 30 mijë lekë që do na i japin vetëm për një afat të caktuar prej 3 muajsh, për ne është asgjë. Të mendojë kryeministri për ne, si për prindërit e vet. Janë rritur të gjitha produktet e shportës. I bëj thirrje kryeministrit, sepse prisnim më shumë prej tij, ta shohë këtë popull, të mendojë më shumë për këtë popull”,- thotë një pensioniste.
“Nuk na del neve, që e kemi pensionin më shumë se 200 mijë në muaj, si do t’u dalë atyre që e kanë më pak. Kjo shtesë është e pamjaftueshme”,– thotë një pensionist, ndërkohë që një tjetër pranon se po bën kufizime të shumta në ushqime, sepse e ka të pamundur me këtë rritje çmimesh të blejë të njëjtat produkte që konsumonte deri disa muaj më parë.
Shumë prej tyre tregohen të kufizuar në konsumimin e mishit, peshkut apo produkteve të tjera që janë bërë “mollë e ndaluar” për ta, por me ironi deklarojnë se duke mos i blerë qeveria po i ruan nga sëmundjet.
Në muajin mars, kryeministri Rama njoftoi se për 434 mijë pensionistë, qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen e çmimeve të shportës. Këtë shtesë e përfitojnë pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që marrin ndihmë sociale.





