Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale, kanë filluar operacionin e gjerë e koduar me emrin “Pika 2” ndaj zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u.

Ky operacion i ka paraprirë një hetimi rreth njëvjeçar nën dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të policëve.

“Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit. Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri)”, thuhet në komunikatë.

Në operacionin e mëparshëm me emrin e koduar “Pika”, u arrestuan 50 policë në pikat kufitare “Qafë Prushë” dhe “Qafë Morinë”, ndërkaq 18 zyrtarë policorë ndodhen në arrati.