Me rastin e 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, një grup përfaqësuesish nga shoqata e romëve në Durrës kërkuan sot mundësi më të mëdha për arsimimin dhe punësimin e këtij komuniteti.

Si një nga komunitetet me nivelin më të ulët arsimor në vendin tonë, shpesh të përbuzur dhe të nëpërkëmbur, ata kërkojnë të gëzojnë të drejta të barabarta, arsimim dhe marrjen e shërbimeve nga institucionet shtetërore.

Për shkak të nivelit të ulët kulturor, ata shpesh nuk dinë as ku të trokasin, fakt që pranohet edhe nga një prej përfaqësuesve të këtij komuniteti, Hajdar Tahiri.

‘Të drejtat tona respektohen gjithnjë në minimum. Ne nuk kemi asnjë lloj të drejte. Ka shumë anëtarë të komunitetit tonë që ngaqë nuk janë të arsimuar nuk dinë ku të shkojnë të trokasin. Shpesh trokasin në dyert e gabuara dhe askush nuk i orienton. Nëse do të shkollohen do të mund të kërkojnë të drejtat e tyre më mirë dhe do të dinë çfarë të kërkojnë, kur të shkojnë në një institucion shtetëror”,- tha Tahiri.

Në raportet që UNICEF ka përgatitur ndër vite për këtë komunitet thuhet se fëmijët Romë, janë ndër anëtarët më të varfër dhe të përjashtuar të shoqërisë në Shqipëri. Një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve Romë, nuk kanë akses në kujdesin shëndetësor, arsim dhe mbrojtje.

Përjashtimi dhe diskriminimi ndaj fëmijëve Romë, që shpesh fillon që në lindje kur ata nuk regjistrohen, përkeqësohet nga varfëria, mundësitë e kufizuara për pjesëmarrje të komuniteteve Rome në vendimet që prekin jetët e tyre dhe nga mungesa e politikave dhe programeve të qëndrueshme të mirë-financuara. 

Në Shqipëri, veçanërisht vajzat dhe djemtë Romë, përfaqësojnë anëtarët më vulnerabël të shoqërisë.