Opinioni publik në Greqi ndjek i shokuar vazhdimin e hetimeve dhe zbardhjen e fakteve të reja që fillojnë të hedhin dritë mbi vdekjen tragjike të tre vajzave të familjes nga Patra, prej të cilave vajza më e madhe, Xhorxhina 9 vjeç, ka vdekur nga një dozë e madhe ketamine, për të cilën akuzohet se ja ka dhënë vetë nëna e saj.

33 vjeçarja Roula Pispirigou ,që është çuar në paraburgim, mohon çdo akuzë, ndërkohë që ka filluar hetimi për të zbuluar shkaqet e vdekjes së dy vajzave të tjera dhe sipas specialistëve mjeko-ligjorë ka disa fakte që të çojnë në përfundimin se ato mund të jenë mbytur.

Orët e fundit nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe ekzaminimi histologjik i Iridës 6 muajshe, rezulton se ajo ka vdekur nga mbytja, pasi evidentohen gjetje patognomonike të asfiksisë, si kongjestion i rëndë në të gjitha organet (mëlçi, shpretkë, veshka, gjëndra mbiveshkore etj.).

Mëngjesin e së shtunës është hapur varri i 9 vjeçares Xhorxhina, për t’u marrë dhe për t’u analizuar tableti i saj me të cilin e kishte varrosur e ëma dhe që sipas hetuesve mund të zbulojë shumë fakte të reja.

Në pistën e hetimeve tashmë hyn një e afërme e 33 vjeçares, e cila thuhet se është narkomane dhe mund ta ketë gjetur ajo në tregun e drogave sasinë fatale të ketaminës, që sipas akuzës Roula Pispirigou ia ka dhënë së bijës 20 minuta para se ajo të gjendej e vdekur nga mjekët e spitalit.