Dhimitraq Goga porosiste: “Talleni topin deri në lodhje”

-Të dhjetët e vitit 1961 – 61 vite më parë

-Të dielat vinin si festë popullore e basketbollit të të rinjve

-Bashkim Taga dhe Dhimitraq Goga nyja e demostrimit të epërsisë

-Pamje me bukuri të rrallë si vetë basketbolli që luanin

-Mbështetje aktive për të mos u harruar mrekullia e tyre

-Vitet kalojnë, por historia çuditëse e tyre ruan njëlloj shkëlqimin

Nga BUJAR QESJA

Koha mban ngjyrën e çdo brezi, duke u përcaktuar nga ato çka japin. Në diskutime të ndryshme në mjedise shoqërore, por edhe më gjërë i ndajmë kohët sipas sistemeve: i djeshmi dhe i sotmi. Përpiqem të jem koherent, por me ndikim nga ajo ç’ka ngjarë, ç’ka ndodhur. Jemi tek basketbolli i të rinjve të “Lokomotivës” së Durrësit. Nga viti 1959 deri në vitin 1969 bën ligjin në basketbollin shqiptar, apo e mbretëruan këtë lojë. Jo vetëm të gëzonin titujt e kampionit, por magjepëse mbeti mënyra se si luanin dhe se si bënin që kundërshtari të dorëzohej dhe të kërkonte “mëshirë”, për të mos i dhënë një thes me kosha.

Demostrohej një lloj loje tejet e veçantë: shpejtësi, triblime, saktësi në gjuajtje dhe përdorimi i “xhiblave”. Finte dhe teknikë e lartë e manovrimit me topin. Rivalët e “Lokomotivës” plotësisht të dorëzuar që në minutën e parë, të dhimbseshin dhe të dukej sikur luteshin, të mos u shënohej ai 100 pikëshi i famshëm. Jemi rritur me basketbollin e të rinjve. Një Durrës i tërë luante nga vendi, kur vinte e diela. Parku i drunjtë “Nako Spiru”, kthehej në amfitetarin gjigand, ku “gladiatorët” e të rinjve të basketbollit do të trajtonin si dinin ata “prenë” e tyre të rradhës.

Fat i madh për basketbollin durrsak, ka qenë ekzistenca e një binomi të rrallë që nuk përsëritet. Ata janë Bashkim Taga dhe Dhimitraq Goga. Gjenerator i mahnitshëm i prodhimit të talenteve dhe i demostrimit të një lloj basketbolli modern, i krahasuar me të drejtë me harlemat çudibërës amerikan. Bashkim Taga ofronte elementë, pasi ishte mësues i edukimit fizik dhe kishte mbaruar studimet e larta në basketbollin e zhvilluar botëror të Jugosllavisë të fund të viteve 40-të. Dhimitraq Goga kolos i basketbollit të të rriturve, më shtatlarti, e ktheu fushën e lojës në një orkestër simfonike, ku interpretohej muzika më tërheqëse e basketbollit shqiptar të të rinjve.

Në të gjithë Durrësin ishte krijuar, klimë e jashtëzakonshme favorizuese për të luajtur basketboll. Konkurenca prodhonte cilësinë dhe rriste gjithnjë nivelin e interpretimit. Dirigjenti Dhimitraq Goga luante mbi partiturat e avancuara të këtij basketbolli, duke bërë që muzika që krijohej në fushë, të ndiqej dhe të pëlqehej nga shikuesit. Parku me shkallë të drunjtë Nako Spiro. Sa mall! Sa kujtime! Përgjegjësi i parkut Xhoxh Vullkaj, kishte ditën më të vështirë të punës. Të gjithë Durrësin, e kishte mbi kurriz. Sa herë janë copëtuar ato tribuna të drunjta të improvizuara? Asgjë nuk na bënte përshtypje, para asaj mrekullie që ofronin djemtë e Dhimitraq Gogës.

Të rinjtë e “Lokomotivës” ishin shembull qytetarie. Dhimitraq Goga mendonte tërë kohën edhe për uniformën, që ata djem të bukur si pranvera të prezantoheshin mrekullisht edhe në fushën e lojës. Fabrika e gomës ofronte prodhime esktra për djemtë e tyre. Piktori i njohur, i përmallshmi Spiro Golgota, dizenjonte uniformat. Kur dilnin në fushë harlemat durrsakë, kishe dëshirë t’i shikoje. Dy pesëshe që alternoheshin dhe niveli i ndeshjes qëndronte njëlloj. Nuk harrohet ai basketboll! Nuk harrohen ato djem, që së bashku me rininë e tyre, i falen Durrësit historinë më të ndritshme të traditës së saj në basketboll. Prandaj këta djem dhe ky lloj basketbolli, është i detyruar të kujtohet e johona e tij të kalojë nga një brez tek tjetri.

Në foton që çfaqim janë 10 basketbollistë. Është trajneri i tyre Dhimitraq Goga, si dhe një emër tjetër i njohur i sportit durrsak. Është Telemak Nushi, që kryente detyrën e përgjegjësit të financës. I kemi emrat e tyre, ndërsa pasionanti dhe i mirnjohuri i basketbollit Haxhi Boshnjaku, na ndihmon për pozicionim e tyre në jetë. Haxhi Rama mbaroi artet. Krijues dhe regjisor i njohur. Kujtim Myshketa, përfundoi studimet për histori gjeografi. Banon në Itali dhe është në gjëndje jo të mirë shëndetësore. Fatmir Demiri, mësues në lëndën e bio kimisë. Prej mëse dy vitesh nuk jeton.

Frano Koka dhe ky biokimisti i rradhës. Kolosi Goga i paharruari ynë i përjetshëm. Shtatlarti Luigj Kalebota, djali i teknikut të impjantit fonik në teatrin e Durrësit Ivo Kalebato, ushtroi profesionin e inxhinjerit elektrik. Theofan Muzina i vetmi ekonomist. Josif Xhufka dha lëndën e biologjisë dhe kimisë. Tush Çumashi mbaroi për matematikë fizikë. Dyshja Sifi dhe Tushi, mbetet krenari mbi krenarinë e arritur nga djemtë e artë të basketbollit durrsak të të rinjve. Ilia Xhako ushtroi në kohë edhe detyrën e trajnerit. Dhe i 10-ti Hamdi Hoxha i katërti biokimist i ekipit.

Është nga 10-të përbërjet e prezantimit të kampionëve të basketbollit të “Lokomotivës”. Kjo 10-tëshe është nga mburrjet e rradhës, që përbën një kapitull në librin e pasur të 12-të titujve të kampionit të “Lokomotivës”. Fama e të rinjve durrsakë, kishte bërë për vete amatorët e basketbollit në të të gjithë Shqipërinë. Kudo që luanin ato duartrokiteshin. Por dallimi nuk ishte vetëm në fitoret, në mbi 100 pikët e shënuara, por edhe në prezantimin e uniformës, të kulturës dhe edukatës që manifestonin në fushë. “Lokomotiva” e të rinjve ishte kthyer në shkollë jo vetëm të basketbollit, por edhe e bukurisë së prezantimit, duke qenë së bashku lojtarët dhe stafi shembulli i qytetarisë.

Kjo foto nuk është e vetme. Por nga emrat, bukuria e realizimit, mendova ta bëj pjesë të secilit. Djem të bukur, 17-18 vjeçarë që “të merrnin gjak në vetull”, duke i dhënë historisë së basketbollit cilësitë më të çmuara të rinisë së tyre. Një pjesë e vazhduan karierën sportive me të rriturit, me ekipin universitar të “Studentit” dhe me “Partizanin”, duke e ruajtur gjithnjë nofkën e dhënë nga opinionin basketbolldashës “harlemat e Durrësit”. I prekur që nuk i harrojmë, të detyruar t’i kujtojmë.

Viti 1961 – është 61 vite më parë, por do të mbetet shumë afër asaj që ata dhanë. Bukuria, hijeshia, pasioni dhe talenti, duke punuar gjithnjë me moton e profesor Dhimitraqit: “talleni topin deri në lodhje”, janë pjesë e artë e historisë së basketbollit durrsak. Me atë që dhanë, ato morën përjetësinë, pasi ai brez dhe ajo dëshirë dhe mjeshtri e të luajturit, nuk ka për të ardhur asnjëherë. Dhe për këtë, jam shumë i bindur.

Durrës: 10 prill 2022

Në pamje: Në këmbë nga e majta- Haxhi Rama, Kujtim Myshketa, Fatmir Demiri, Frano Koka, Dhimitraq Goga, Luigj Kalebota, Theofan Muzina dhe Telemak Nushi.

Në gjunjë nga e majta: Josif Xhufka. Mitrush Çumashi, Ilia Xhako dhe Hamdi Hoxha.

Viti 1961