17 krocera pritet të ankorohen përgjatë këtij sezoni turistik në portin më të madh në vend. Ky lajm i mirë vjen tashmë kur krocera e parë për këtë vit u ankorua dy ditë më parë në Durrës.

Pas dy viteve mjaft të vështira për shkak të pandemisë Covid-19, ku industria e krocerave ishte ndër më të goditurat, këtë sezon veror pritet që ky sektor të kthehet në eficencë të plotë.

Kapiteni i portit, Tauland Allka, tregon për “DurrësLajm” se numri i anijeve turistike mund të mbërrijë këtë vit në 20 të tilla, ndërsa pritet të operojnë me kapacitet të plotë pasagjerësh.

Në vitin 2019, kur shifrat e industrisë së turizmit ishin më të mirat e realizuara ndonjëherë, numri i jahteve turistike që ndaluan në portin e Durrësit për 1 deri në 3 ditë ishte vërtet shpresëdhënës. Në krahasim me vitin 2020, kur portin e vizituan vetëm 84 jahte, në 2021 numri i tyre ishte rreth 5 fish më i lartë, më shumë se 300 jahte dhe veliera.

Krahas kësaj është përmirësuar ndjeshëm imazhi i portit të Durrësit në përshtypjet që të huajt lënë në faqen e specializuara për mjetet detare të luksit. Lehtësirat proceduriale që u ofrohen në portin e Durrësit jahteve dhe superjahteve për ankorimin e tyre e bëjnë atraktiv portin më të madh në vend. Shtimi i taksës së qarkullimit në çmimin e karburantit me të cilin furnizohen mjetet e luksit, ia ka hequr këtë vit porteve shqiptare avantazhin që kishin me portet e rajonit.

Pavarësisht luftës në Ukrainë, operatorët turistikë janë të fokusuar 100% në garantimin e një sezoni të suksesshëm. Një ditë më parë, vetë kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjete sociale për krocerën e parë të ankoruar në Durrës, shkruante se “E bukura e Adriatikut” lajmëron afrimin e sezonit më të bukur e më të pastër turistik”.

M.B.