Fadroma e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Kavajë nisi sot shembjen e banesave një katëshe në ish-kabinat e plazhit të Golemit, ku strehohen rreth 12 familje prej mëse 30 vitesh. Sipas banorëve, ata po nxirren nga shtëpitë për t’i hapur rrugë ndërtimeve në këtë zonë turistike.

Prej disa ditësh, ata janë njohur me vendimin e marrë nga Këshilli Bashkiak Kavajë për shembjen e këtyre godinave njëkatëshe, bazuar në akt-ekspertizën e thelluar të Institutit të Ndërtimit, që i ka nxjerrë me dëmtime DS4. Sipas banorëve, shtëpitë nuk kanë pasur asnjë dëmtim pas tërmetit, prandaj ata kundërshtojnë me forcë shembjen e tyre.

Ndërkohë, drejtori i shërbimeve në bashkinë Kavajë, Ledio Hysa, shpjegon se familjet do të trajtohen me bonus qiraje, deri në sistemimin e plotë të tyre.

Banorët kerkojnë transparencë për të gjithë procesin, sepse i tremben faktit se banesat e tyre po shemben për t’i hapur rrugë ndërtimeve në bregdet, meqë sipërfaqja e tokës është shtetërore.

M.B.