Zbardhet projektvendimi për skemën e shpërndarjes të subvencionimit të naftës në sektorin e transportit.

Drafti i ministrisë të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të Financave dhe Ekonomisë parashikon kompensimin e shoqërive të transportit për linjat qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse në masën 100 lekë/ litër, për një periudhë 3 mujore (mars prill, maj 2022).

Subvencioni për një pjesë të shpenzimeve të naftës u miratua në Paketën e Rezistencës Sociale pas shtrenjtimit të çmimit të karburanteve mbi nivelin e 230 lekë/litër. Fondi që do të përdoret për kompensimin e naftës llogaritet në vlerën e 430 milionë lekëve apo 3,5 milionë euro.

Sipas projektvendimit kompensimi do të bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën mars prill, maj 2022, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2021, për secilën nga shoqëritë. Kërkesat nga subjektet për kompensim do të paraqiten pas datës 10 të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji prill  2022. Ndërsa kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datë 1 gusht 2022.

Projektvendimi përcakton se aplikimi për të përfituar kompensimin financiar do të bëhet nga subjekti çdo muaj  pranë administratës tatimore nën juridiksionin e së cilës është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur. Subjektet aplikuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore nën juridiksionin e së cilës janë regjistruar dokumentacionin, si: kërkesën (sipas shtojcës që do të shoqërohet këtij vendim); kopje të licencës respektive të vlefshme për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas; të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS; bankën ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare; IBAN-in e llogarisë bankare (jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë).

Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të vitit 2021 dhe vitit 2022,

Për shoqëritë që përveç aktivitetit të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars prill, maj të vitit 2021 dhe 2022, duhet të paraqesin edhe vetdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për  transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas; kopje të fletë daljeve të karburantit gjatë muajve mars, prill, maj të vitit 2021 dhe vitit 2022, të përdorur për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, sipas targave të mjeteve.

Administrata tatimore kryen pagesën brenda 20 ditëve pune, pas verifikimit të dokumentacionit. Për shoqëritë e regjistruara pas muajit maj 2021, si vlerë reference për kompensim, do të  merret  vlera më e lartë e konsumit të karburantit, për periudhën janar-shkurt 2022. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore, mund të kryejnë edhe verifikime në vend në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur në aplikim.

Efekti financiar prej 430,000,000 lekë do të përballohet nga Fondi Kontigjencë për Paketën e Rezistencës Sociale ndaj Pasojave të Krizës, miratuar për vitin 2022.

Shpërndarja e subvencionit të rritjes të çmimit të naftës do të shoqërohet me ndërprerjen e subvencionit të pandemisë për rënien e numrit të pasagjerëve të sektorit urban në kryeqytet. Shoqata e Transportit Kombëtar tha se heqja e subvencionit të pandemisë do të perkeqësojë cilësinë e shërbimit të sektorit. /Monitor.