Ardhja e pranverës shoqërohet me shumë ndryshime për trupin.
Një prej tyre ka të bëjë me gjakun.
Siç e dimë, pranvera fillon më 21 mars, dhe dita nis e zgjatet.
Ky fenomen ka një ndikim të madh në trupin tonë. Gjatë dimrit shumë njerëz ndihen të stresuar apo melankolik. Por ndryshe ndodh në ditët me diell.
Po ashtu, rritja e rrezatimit dhe ngrohtësisë së diellit ka një efekt mbi ne. Ndikon në prodhimin e hormoneve të caktuara si melatonina, që ka efekt në emocionet tona, në hapjen e oreksit apo energjinë.
Por ardhja e pranverës nuk është një lajm i mirë për të gjithë. Ndryshe nga shumë njerëz, disa persona janë të prekur nga një trishtim i papritur apo plogështi.
Kjo lloj simptome ka të bëjë me atë që quhet lodhja e pranverës.
Kjo lodhje shoqërohet me çrregullime të gjumit, humbje të motivimit dhe mërzi. Megjithatë, mos e humbni shpresën, sepse, sipas mjekëve lodhja e pranverës është e butë dhe shpesh jetëshkurtër.
Por çfarë ndodh me gjakun?
Në mot të ftohtë, enët e gjakut në sipërfaqen e trupit tonë tkurren dhe zvogëlohen për të mbajtur gjakun e ngrohtë thellë brenda.
Kur koha ngrohet, enët e gjakut zmadhohen për të çliruar nxehtësinë nga trupi. Pra gjithçka ka të bëjë me qarkullimin më të mirë të gjakut në një mot më të ngrohtë.
Pra në pranverë ajo që ndodh është vërshim i gjakut në trup për shkak të ngrohjes së klimës, e kjo shpesh merr kuptimin e ndërrimit të gjakut.
Ky perceptim vjen nga një energji më e madhe që e kaplon trupin.
Rigjenerimi i qelizave
Qelizat e trupit ndahen, shuhen dhe rigjenerohen vazhdimisht. Çdo qelizë ka një cikël jete të ndryshëm.
Qelizat shuhen dhe zëvendësohen me të tjera gjatë gjithë jetës.
Qelizat në shtresën e brendshme të stomakut zëvendësohen çdo pesë ditë, sepse janë të ekspozuara ndaj aciditetit.
Rruazat e kuqe jetojnë për të paktën katër muaj në organizëm, ndërsa qelizat e mushkërisë shuhen dhe zëvendësohen çdo pesë muaj.
Megjithatë, disa qeliza kanë nevojë për të paktën shtatë vjet që të rigjenerohen.
Thënë thjesht, asnjë qelizë nuk është e pazëvendësueshme. Ato ndërrohen vazhdimisht. Nuk është vetëm çështje stine/AgroWeb.org