Pandemia e Covid 19 në vitin e parë të saj (2020) për shkak të kufizimeve në lëvizje pengoi trajtimin e të sëmurëve në të gjitha diagnozat, teksa rreziqet më të mëdha ishin për të personat me kancer të cilët nuk arritën të mbërrin trajtimin dhe diagnoze në kohë duke shtuar kështu fluksin e trajtimeve në vitin 2021.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, në vitin 2021 u trajtuan me radioterapi vetëm në spitalet publike rreth 23 mijë persona me një rritje 20% në krahasim me vitin 2020, por gjithsesi numri i trajtimeve ishte pak më i ulët se i vitit 2019.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik bazuar në të dhënat e regjistrit kombëtar të kancerit, çdo vit në Shqipëri shfaqen rreth 6000 raste të reja me tumore.
Tumoret shkaktojnë mbi 16% te të gjitha vdekjeve (shkaku i dyte kryesor pas sëmundjeve kardiovaskulare). Çdo vit prej tumoreve humbin jetën mbi 3600 persona. Rreth 10% e vdekjeve nga tumoret janë nën moshën 50 vjeç.
Tumoret më të shpeshta janë i mushkërive me rreth 800 raste të reja në vit dhe tumori i gjirit me rreth 700 raste të reja vjetore. Të dhënat e ISHP tregojnë se, prirja e tumoreve në sistemin shëndetësor shqiptar ka qenë në rritje gjatë tre dekadave të fundit, kryesisht për arsye të rritjes se moshës mesatare të popullatës, por edhe për shkaqe të tjera të lidhura me stilin e jetesës apo mjedisin.
Kjo prirje është shprehur sidomos në nivelin e përdorimit të shërbimeve shëndetësorë lidhur me sëmundjet tumorale. Të dhënat tregojnë se tumori i gjirit dhe tumori kolorektal (zorra e trashë) duket se kane qenë në rritje, ndërkohë që tumori i stomakut apo ai i mushkërive, megjithëse tradicionalisht janë mjaft të shpeshtë në vendin tonë nuk janë duke u rritur. Ekspertiza e ISH tregon se këto prirje të mes tumoreve janë të ngjashme me trendët globale të këtij problemi shëndetësor.
Ndërkohë, prirjet e nivelit të vdekshmërisë për shumicën dërrmuese të kancereve nuk janë në rritje prej disa vitesh. Risku për tu prekur dhe për të vdekur nga tumoret është shume më i lartë tek meshkujt ne moshat mbi 65 vjeç, por e kundërta vihet re në moshat nën 65 vjeç.
Me përjashtim të tumoreve te organeve riprodhuese femërore, vdekshmëria nga tumoret e tjerë është më e shpeshtë mes meshkujve. Diferenca mes meshkujve dhe femrave ka ardhur duke u zvogëluar nga viti 2012. Tumoret, kancerët, neoplazmat janë terma te përgjithshëm për një grup të madh sëmundjesh; ka më shumë se 100 lloje të tumoreve, me shpeshtësi te ndryshme ne popullate dhe me faktorë te ndryshëm risku.
Vlerësohet se shumica e tumoreve janë të shkaktuar nga ushqyerja e gabuar (pak fruta perime, shume yndyrna dhe produkte shtazore, kripa, alkoli, obeziteti etj), duhanpirja, agjentet infektive, sedentarizmi, ndotjet mjedisore, etj/ Monitor