Procesi i restaurimit të objekteve mësimore si pasojë e dëmtimeve të tyre nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 në disa prej shkollave ka ngecur në vend.
Pak ditë më parë prindërit e nxënësve të shkollës “26 Nëntori” kanë kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare, pasi që prej tërmetit kjo shkollë është jashtë funksionit.
Që prej muajit dhjetor të vitit 2021 nxënësit e kësaj shkolle duhet që procesin mësimor ta zhvillojnë në gjimnazin “Besnik Sykja” në Tiranë, ku mësimi do të zhvillohej me dy turne.
Prindërit e nxënësve shprehen të shqetësuar, pasi për ata dhe fëmijët është shumë e lodhshme. Ata pohojnë se ok shkolla u dëmtua nga tërmeti, por nuk po bëhet asgjë për fillimin e punimeve që ajo të vihet sërish në punë e të hapë dyer për nxënësit. “Ky vit iku si iku, çfarë do bëhet për vitin e ardhshëm? ” është pyetja që prindërit ngrejnë.
Gazetarët e Fiks Fare u drejtuan për në gjimnazin ‘Besnik Sykja’ ku nxënësit e shkollës 9 vjeçare “26 Nëntori” ishin në pushim të gjatë, ata u shprehën se kanë më shumë se një vit e gjysmë që kryejnë procesin e mësimit në ambjentet e gjimnazit “Besnik Sykja”. Por vetëm pak ditë më parë prindërve të nxënësve u është thënë se në javën e ardhshme vetëm dy muaj para përfundimit të vitit shkollor 2021-2022 u duhet të transferohen në një shkollë tjetër. Përveç ndryshimit të ambjenteve, nxënësve u duhet të përshtaten dhe me ndryshimin e orarit, pasi në shkollën e re ku ata do të transferohen mësimi do të fillojë në orën 13:30 dhe mbaron në 19:30.
Gjatë një takimi me prindër mësuesja kujdestare e klasës së shtatë thotë se nuk i ka pyetur njeri për këto ndryshime. Gjithashtu prindërit shprehin shqetësimin se kanë paguar kurse private për fëmijët e tyre në orarin e shkollës dhe u duhet të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.
Nga kërkimet që gazetarët e Fiks Fare bënë, rezultoi se shkolla ’26 Nëntori’ në Tiranë është në listën e shkollave, të cilat do të rikonstruktohen me fondet e vëna në dispozicion nga Bashkimi Evropian. Nga kërkimet në faqen zyrtare të EU4Schools rezulton se riparimi i shkollës ’26 Nëntori’ duhej të kishte nisur më 22 Korrik 2021 dhe dorëzimi duhej të ishte bërë me datë 04 Shkurt 2022.
Fiks Fare kontaktoi me drejtoreshën e kësaj shkolle, Sheri Banushi. Sipas kësaj të fundit leja nga Bashkia e Tiranës është dhënë për rikonstruksionin. Kompania e ndërtimit ka njoftuar shkollën që të largojë mjetet mësimore dhe objektet e tjera, për fillimin e punës, por ende nuk është lëvruar fondi nga EU4Schools.
Marrë nga Top Channel