Liga Unike ka luajtur në palestrën “Karagaçi” të Pejës takimet gjysmëfinale për sezonin 2021-2022, aty ku Golden Eagle Ylli dhe vendësit e Pejës kanë mundur të sigurojnë biletat për në finale, pas dy sfidash tepër emocionuese, duke fituar respektivisht kundër Teutës dhe Prizrenit. Për kampionët në fuqi mund të thuhet pa frikë se Teuta ka qenë deri më tani kocka më e fortë për ta në Ligën Unike. Durrsakët, pasi i kishin shkaktuar disfatën e vetme në sezonin e rregullt, rrezikuan seriozisht t’i bënin gjëmën Yllit edhe në gjysmëfinale, teksa gjithçka u vendos vetëm në sekondat e fundit.
Ishte Erjon Kastrati, ai që me kosh në fund, i dha suksesin skuadrës nga Theranda në shifrat e ngushta 84-82.Ndonëse Ylli ka një buxhet disafish më të lartë se Teuta, bregdetarët treguan karakter dhe bënë një ndeshje të madhe, duke luajtur si të barabartë.Në periodën e parë Ylli pati gjatë gjithë kohës një epërsi të lehtë, për ta fituar këtë fraksion 21- 15. Perioda e dytë foli për Teutën, që tregoi një përmirësim si në shënjestër gjithashtu edhe në fazën mbrojtëse.Kështu, të besuarit e Melzin Lazimit fituan 15-23, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve në kryesim 36-38.
Perioda e tretë vijoi me rivalitet të lartë, me Teutën që kishte epërsi deri në 5 pikë dhe therandasit, të cilët shkuan deri në 7 pikë avantazh.Kështu, ky 10-minutësh u mbyll 22- 18 për Yllin, që mori kryesimin 58-56 pas tri periodash. 10- minutëshi final ishte nga më emocionuesit e të gjithë sezonit.Të dyja skuadrat luftuan dhëmb për dhëmb deri fund. Por një gjuajtje e saktë për 2 pikë, 8 sekonda nga sirena, që kishte për autor Erjon Kastratin, prishi ekuilibrat, duke shmangur kohën shtesë, për ti dhënë kualifikimin Yllit për në finale.
Për sa u përket paraqitjeve individuale, Te Golden Eagle Ylli më të mirët ishin Mikaile Tmusiç me 23 pikë, 5 kërcime dhe 6 asistime, Henrik Sirko me 17 pikë, 10 kërcime e 7 asistime, si dhe Erjon Kastrati me 22 pikë e 4 asistime.Në radhët e kampionëve të Shqipërisë spikatën Nasir Core me 23 pikë, si dhe Frenki Lilaj e Tyler Peterson me nga 13 pikë secili. Tashmë Teuta do të luajë për vendin e tretë ndaj Prizrenit.