Një italian dhe dy brazilianë kanë dalë para gjykatës së Brazilit si të akuzuar për ekzekutimin me armë zjarri në shkurt të vitit 2019 të shqiptarit Alban Gropçaj. Ky i fundit kishte udhëtuar drejt vendit të Amerikës Latine së bashku me punëdhënësin e tij italian Guido Bertola, që në fakt është edhe i dyshuari kryesor për ngjarjen.

Sipas hetimeve të prokurorisë braziliane Gropçaj u vra nga dy persona (njëri prej tyre i paidentifikuar) me urdhër të një gruaje braziliane dhe vetë italianit që ishte shefi i tij. Dyshohet se  italiani kërkonte eliminimin e shqiptarit për arsye financiare, pasi Gropçaj do të zhvillonte një projekt të madh në kompaninë e italianit. Ndërkohë, gruaja braziliane e cilësonte shqiptarin si pengesë në raportet me italianin.

Ngjarja kriminale ndodhi gjatë kthimit nga një restorant në Fortaleza të Brazilit. Teksa shqiptari po shkonte në shtëpinë e italianit, në Caucaia, dy persona iu afruan me motor, më pas e nxorën nga automjeti dhe e ekzekutuan me tre plumba, dy në kokë dhe një në shpinë.

Nga hetimet rezultoi se viktimës nuk i ishte grabitur asgjë. Kjo bëri që policia të rrëzonte tezën e grabitjes. Sipas prokurorisë braziliane makina drejtohej nga vetë italiani natën e krimit. Italiani ndalon makinën pranë bordurës, i mban dyert e mbyllura në pritje të ekzekutorëve për të hequr qafe 28 vjeçarin shqiptar.

Gjithashtu hetimet shpjegojnë se atë natë nuk është dëgjuar asnjë frenim në momentin kur atentatorët kanë kryer vrasjen. Prokuroria dhe policia beson se i akuzuari ka parkuar automjetin në pritje të vrasësve.

Hetimet kanë dalë në përfundimin se viktima nuk kishte armiq në Itali apo Brazil. Ai madje kaloi katër ditë në Caucaias dhe ‘në asnjë moment nuk u përfshi në ndonjë situatë që mund të krijonte përplasje apo sherre”. Një detaj që shton dyshimet mbi italianin lidhet edhe me qytetarët e Caucaias të cilët shprehen se ky është qytet që shumë rrallë mund të bjerë pre e grabitjeve.