Ermal Muçolli, 43 vjeç, ka dalë para gjykatës ditën e djeshme pasi akuzohet për plagosje të rëndë të një oficeri policie.
Ngjarja e rëndë është shënuar 4 ditë më parë në zonën e Yzberishtit, ndërkohë që është dhunuar me pasoja të rënda punonjësi i Policisë së Shtetit Zeqir Musaj, 51 vjeç.
Nga përleshja me qytetarin, efektivi i Policisë ka thyer këmbën e për pasojë ai është nisur menjëherë për në Spitalin e Traumës, për t’u vënë nën kujdesin e mjekëve.
Pamjet filmike që janë marrë nga një biznes aty pranë që ka filmuar edhe ngjarjen, tregojnë momentin e rëndë kur efektivi i shtrirë kërkon ndihmën e njerëzve, ndërkohë që i afrohet vetëm një djalë, ndërsa dhunuesi nuk shihet më se nga shkon, pasi ai tentoi t’i ikte Policisë dhe të mos binte në duart e tyre.
Referuar të dhënave bëhet me dije se gjithçka nisi nga tentativa e punonjësit të Policisë ta gjobiste 43-vjeçarin nga Berati për parkim të gabuar. Ai e ka refuzuar gjobën e policit, duke e dhunuar dhe nga rrëshqitja, ky i fundit ka pësuar fraktura të rënda në këmbë.
ARRESTIMI
Ermal Muçolli është vënë në pranga pas ndjekjes së kolegëve të punonjësit të Policisë Musaj. Ata e kanë ndjekur për pak kohë shoferin, duke e sjellë në pranga dhe më pas i kanë marrë dëshminë dhe dokumentet ia kanë kaluar në prokurori për ta nxjerrë ditën e djeshme para gjykatës.
Muçolli ka treguar rrethanat e përplasjes me efektivin e Policisë, por ai ka mohuar se kishte qëllim t’i krijonte probleme të tilla efektivit të Policisë, edhe pse e ka pranuar se ka qenë shumë i zemëruar me policin, sepse donte t‘i vinte gjobë, vetëm se donte të pinte një kafe dhe të largohej.
Policia zyrtarisht ende nuk ka bërë me dije se çfarë ka ndodhur vërtet ditën e ngjarjes dhe ende nuk është mësuar dëshmia e policit të dhunuar dhe plagosur nga qytetari, por agresori është lënë në burg dhe ai do të përballet me dy akuza në lidhje me atë ngjarje.
GJOBAT
Prej kohësh në Tiranë janë tri lloje efektivësh të cilët gjurmojnë këmba-këmbës parkimet e qytetarëve në vende të ndryshme: policët e qarkullimit, të rendit dhe të Bashkisë gjenden në çdo pëllëmbë të rrugëve pa rrugë dhe vendparkimi, me bllok në duar, duke vendosur gjoba.
Mekanizmi i udhëzuar nga eprorët e tyre i ka ekspozuar këta punonjës policie përballë përdoruesve të rrugëve të Tiranës, të cilët shpesh përballen me një gjuhë kërcënuese të të gjitha llojeve të policëve që mbledhin gjoba.
Punonjësit e Policisë jo pak herë abuzojnë me qytetarët duke mashtruar sy për sy shoferin vetëm e vetëm që t’i rrëmbehet gjoba, ndërkohë që rasti në fjalë ende nuk është zbardhur.
/Panorama