Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka rritur presionin ndaj zv.Presidentit Mike Pence për të hequr Donald Trump nga zyra për rolin e tij në sulmet e javës së kaluar ndaj Kongresit amerikan.

Ligjvënësit pritet të dorëzojnë një rezolutë që i kërkon Pence të thërrasë amendamentin e 25-të për ta deklaruar presidentin të papërshtatshëm për të qëndruar në zyrë. Siç shkruan BBC, Pence thuhet se e kundërshton idenë e demokratëve.

Nëse ai refuzon, demokratët do të votojnë për të hequr Trump para 20 janarit kur të betohet presidenti i ri, pasi u kërkoi përkrahësve të tij të marshonin në Kongres ditën që po numëroheshin votat.

Presidenti republikan është akuzuar nga demokratët dhe një numër në rritje i republikanëve për trazirat, pas një tubimi në të cilin Trump përsëriti akuzat e pabazuara për vjedhje të votave. Pesë njerëz vdiqën në sulm, duke përfshirë një oficer policie të Kongresit.