Policia greke ka goditur një organizatë kriminale të trafikut të drogës që vepronte në ishullin e Mykonosit, ndërsa në pranga kanë përfunduar pesë persona.

Sipas autoriteteve, në krye të grupit ishte një 37-vjeçar shqiptar, i cili përdorte si mbulesë një kompani transporti turistik me furgonë për të shpërndarë lëndët narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë Greke (ELAS), organizata kishte nisur aktivitetin që nga mesi i muajit prill, ndërsa fitimet e saj nga trafiku i drogës llogariten të kenë kaluar 700 mijë euro.

Gjatë operacionit, efektivët zhvilluan kontrolle në banesa dhe ambiente të përdorura si vende fshehjeje në Mykonos, Pire dhe Perama, ku sekuestruan rreth 4.5 kilogramë lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, përfshirë kokainë, “kokainë rozë” (TUCI), MDMA, kanabis, ketaminë, kërpudha halucinogjene dhe qindra tableta narkotike.

Mykonos operacion shqiptare (4)

Roli i të arrestuarve

Sipas ELAS, 37-vjeçari shqiptar ishte drejtuesi dhe koordinatori i organizatës. Ai kujdesej për gjetjen e furnitorëve, administrimin e vendeve ku fshihej droga, transportin, ruajtjen dhe shpërndarjen e saj, menaxhimin e një pjese të fitimeve të paligjshme, si edhe furnizimin e trafikantëve të tjerë.

Një 39-vjeçar ishte përgjegjës për ruajtjen e drogës që ishte gati për shitje, gjetjen e klientëve dhe administrimin e një pjese të të ardhurave nga shitjet.

Një 38-vjeçar, i konsideruar si zëvendësdrejtues i grupit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i shqiptarit, kishte rol aktiv në magazinimin dhe shpërndarjen e drogës, gjetjen e klientëve dhe menaxhimin e fitimeve.

Një 25-vjeçar merrej me gjetjen e blerësve, ruajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, ndërsa një grua 38-vjeçare ishte përgjegjëse për ruajtjen, transportin e rastësishëm të drogës dhe mbikëqyrjen e vendeve ku ajo fshihej.

Mykonos operacion shqiptare (3)

Çfarë u sekuestrua

Gjatë operacionit policia sekuestroi:

2.690 kilogramë kokainë;

705.65 gramë “kokainë rozë” (TUCI);

754.4 gramë MDMA;

1.418 kilogramë kanabis;

8 gramë kanabis të përpunuar;

205.7 gramë ketaminë;

846 tableta narkotike dhe farmaceutike;

kërpudha halucinogjene;

30 karta letre të impregnuara me lëndë narkotike;

5 peshore elektronike precize;

4 furgonë (van), 2 motoçikleta dhe 2 automjete;

14 telefona celularë;

një makinë për numërimin e parave, një kasafortë;

94.575 euro dhe 11.500 dollarë amerikanë në para të gatshme.

Sipas Policisë Greke, dy nga të arrestuarit kanë precedentë penalë për vepra të tjera, ndërsa të gjithë janë dërguar para Prokurorisë për procedurat e mëtejshme.

Mykonos operacion shqiptare (2)
Mykonos operacion shqiptare (1)
Mykonos operacion shqiptare (9)
Mykonos operacion shqiptare (8)
Mykonos operacion shqiptare (7)
Mykonos operacion shqiptare (6)