Numri i përgjithshëm i vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19 në Gjermani kapërceu sot pragun 40 000, njoftoi Instituti për Shëndetin Publik “Robert Koch” (RKI), ndërsa kancelarja Angela Merkel paralajmëroi se javët e ardhshme do të jenë faza më e vështirë e pandemisë.
“Javët e ardhshme do të jenë faza më e vështirë e pandemisë deri më tani, me shumë mjekë dhe personel mjekësor që punojnë në kapacitetin e tyre maksimal”, tha ajo.
Gjermania, vendi më i populluar në Bashkimin Europian, po përpiqet të përmbajë pandeminë. Ajo u godit rëndë nga vala e dytë e virusit pasi u kursye relativisht, në krahasim me shumë vende të tjera europiane, gjatë valës së parë.
Vendi sapo ka zgjatur dhe forcuar bllokimin e pjesshëm deri më 31 janar dhe po u kërkon qytetarëve të reduktojnë më tej kontaktet e tyre.
Më shumë se 5 000 pacientë COVID-19 janë aktualisht në kujdes intensiv dhe më shumë se 80% e shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv janë të zëna.
Sipas RKI, Gjermania ka regjistruar 465 vdekje nga COVID-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin që nga fillimi i pandemisë në 40 343.
Më shumë se 1,9 milionë janë infektuar deri më tani, me gati 17 000 raste të reja të regjistruara që nga e shtuna.