Teuta mendon ende mbijetesën në “sprintin” final të sezonit, por fitorja bindëse në fundjavë ndaj Kukësit ka ndryshuar disi “humorin” e bregdetarëve.
Kampionët e Shqipërisë renditen momentalisht në vendin e shtatë me 39 pikë, me një distancë sigurie nga ndjekësi më i afërt, Egnatia që pozicionohet në vendin e tetë me pesë pikë më pak. Për herë të parë në këtë sezon, Teuta shënoi katër gola në një ndeshje dhe diçka të tillë e realizoi ndaj “verilindorëve”, të cilët gjithashtu ishin me “mision” në “Niko Dovana”. Ky ishte suksesi i dytë radhazi në kampionat pas triumfit ndaj Dinamo-s në transfertë dhe tani pas dy fitoreve, Teuta ka arritur të gjejë deri diku stabilitetin e munguar në këtë edicion, pasi dy fitore bashkë, durrsakët nuk i bënin bashkë nga sezoni i kaluar (8 dhe 13 maj 2021).
Në një moment të tillë, me vetëm një objektiv në lojë, shmangia e vendit të tetë, Teuta mund të nisë të mendojë edhe për sezonin e ardhshëm, për të rindërtuar skuadrën dhe për të rikthyer ekipin përsëri në lartësinë e duhur, për të lënë pas vështirësitë e këtij edicioni. Pritshmëritë e fillim sezonit ishin shumë të larta, por rezultatet ishin zhgënjyese, me Teutën që tashmë i duhet të mësohet edhe pa arenën europiane.
Në ndeshjen e radhës, skuadra e Renato Arapi-t do të masë forcat me kryesuesit e Tiranës, me “badheblutë” që do të tentojnë suksesin për të festuar në “shtëpi” titullin e 26-të kampion pikërisht përballë kampionëve në fuqi, por edhe Teuta prezantohet në këtë sfidë me misionin e tri pikëve, pasi ende asgjë nuk është e sigurt sa i përket zonës së “Play-Out-it” deri në përfundim të sezonit.