Një ditë pas vetëvrasjes në komisariat të të riut Ilvi Meta, familjarët nuk e besojnë akoma versionin zyrtar të dhënë nga autoritetet.
“Vetëvarje në litar dhe asfiksi.” shkruhet në dokumentin e skedës së vdekjes së të riut nga Kavaja, ndërkohë që ora e vdekjes është 18:50 e mbrëmjes së të mërkurës.
Në një reagim të fundit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore deklaruan se i riu ishte vetëvarur me lidhësen e kapuçit, ndërkohë që familjarët hedhin dyshime për dhunë nga policia.
Familja e Ilvi Metës ka hapur dyert e mortit këtë të enjte. I mposhtur nga dhimbja, ndërsa flet për gazetarët, babai i të riut Agim Meta ngre dyshime për aktin e vetëvrasjes së të birit. Ai tregoi se ngjarjen e rëndë e ka mësuar nga lajmet.
“Lajmi që morëm vesh ishte shumë i hidhur. Ndodhesha në punë. Kur erdha pasdite vetëm tek lajmet e dëgjova”, tha ai.
Babai i viktimës pretendon se kur ka shkuar në polici nuk e kanë pranuar fare që të shohë djalin. Madje thotë se djali nuk është vetëvarur, por është dhunuar.
“Në polici mesa kuptoj unë i kanë bërë dhunë që të firmoste një procedurë që dyshonin ata. Nuk ka shenja trupi mesa kemi parë ne. Po të jetë i vetëvrarë ai mund të ketë shenja tek fyti, nuk është i nxirë them që i ka ngelur në dorë policisë”, shtoi më tej ai.
Agim Meta tha se djalit i është bërë autopsia dhe kjo pa lajmëruar familjarët.
“Nuk kemi marrë as skedën e vdekjes. Autopsinë e kanë bërë në Durrës”, tha babai.
Ilvi Meta u arrestua mesditën e së mërkurës për vjedhje, për të njëjtën vepër penale për të cilën rezulton përsëritës që prej vitit 2014.
Ndërkohë 3 efektivë të komisariatit të Kavajës janë vënë në pranga pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në këtë komisariat, ku një 31-vjeçar i arrestuar i dha fund jetës në qeli.
Agjencia e Mbrojtjes policore njoftoi se në pranga janë vënë nënkomisari Petrit Brahimaj me detyrë Specialist i sallës së komandimit në këtë Komisariat, Bexhet Berberi trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme dhe Rushit Kola trupë shërbimi në Dhomat e Sigurisë.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre pasi nuk kanë marrë masa për parandalimin e ngjarjes.