Përkeqësimi i motit në vend ka bërë që shumë akse në Durrës të përmbyten. Një situatë jo e pazakontë kjo për qytetin bregdetar sa herë që ka reshje shiu.

Në zonën pranë stadiumit niveli i ujit ka kaluar mbi trotuar dhe ka vërshuar në rrugë siç duket edhe në video. Në kushte të tilla, të vetmet që mund të qarkullojnë janë automjetet ndërsa qytetarët këmbësore e kanë të pamundur.

Më herët “DurrësLajm” njoftoi se në qytetin bregdetar, situatë problematike raportohet edhe në akset rrugore brenda dhe në zonat periferike lagjet nr.13 dhe 14.

Mesditën e sotme, Bashkia Durrës nxori një njoftim të rëndësishëm për të gjithë banorët sa i përkët përmbytjeve dhe evakuuimeve, teksa publikoi dhe listën e kontakteve për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që mund të kenë probleme nga situata emergjente që mund të krijohet nga reshjet e shiut.