Po bëhet muaji që kur u zbulua, së paku zyrtarisht, rasti i fundit i ngordhjes së pulave për shkak të gripit të shpendëve (11 prill) dhe ende nuk dihet se kur do të ketë dritë në fund të tunelit.
Vatrat e reja në Shkodër rindezën alarmin që duket se nuk është shuar ende. Por jo vetëm kaq. Përpara një jave, Ministria e Bujqësisë ka publikuar urdhrin e radhës për ndalimin e tregtimit dhe lëvizjen e shpendëve në pesë qytete, shkruan “Panorama”.
Ai daton në 29 prill, por ka hyrë në fuqi ditën e djeshme me botimin në Fletoren Zyrtare.
Prej më shumë se dy muajsh, vendi ynë po përballet me influencën aviare, origjina e së cilës ende nuk u bë e ditur. Që prej fillimit të muajit mars, kur nisi ngordhja masive në fermat e shkozetit deri në 19 mars kur u përcaktua qartë diagnoza H5N8 e deri më sot, MB-ja është mjaftuar me apele që bindin për “siguri konsumatore”, ndërkohë që tregu i shpendëve dhe vezëve ende nuk ka gjetur ekuilibrin e mëparshëm.
URDHRI
Janë pesë bashki në Shqipërinë e Mesme dhe në Veri të vendosura nën monitorim sa i takon shitjes, tregtimit të shpendëve apo edhe lëvizjes nga një fermë në tjetrën. Shitësit ndalohen të kryejnë veprimtaritë e mësipërme për një periudhë pa afat.
Ky është urdhri i fundit i Ministrisë së Bujqësisë, që shfuqizon atë të mëparshmin, i cili vinte nën survejim të tjera vatra me rrezik për përhapjen e gripit të shpendëve.
“Urdhëroj ndalimin e shitjes dhe të tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, në bashkitë Lushnjë, Divjakë, Shkodër, Shijak dhe Durrës.
Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla, në bashkitë Lushnjë, Divjakë, Shkodër, Shijak dhe Durrës”. Fermerët a shpendërritësit në këto qytete lejohet të transportojnë shpendët vetëm për në thertore, referuar urdhrit.
Por, asnjë e dhënë më tepër se kaq. Urdhri për masat kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare dhe as vetë institucioni kupolë i bujqësisë nuk shpjegon përse janë shigjetuar këto qytete e jo të tjera.