Presidenti i zgjedhur Joe Biden i kushtoi një tjetër konferencë për shtyp nga Delawere protestave të dhunshme në Washington, ku mbështetës të presidentit Donald Trump hynë me forcë në selinë e Kongresit.
Biden e konsideroi ditën e djeshme një nga më të errëtat në historinë e kombit dhe një sulm ndaj fortesës së lirisë dhe demokracisë.
“Ata që kishin hyrë mbrëmë në Kapitol nuk ishte protestues, por një turmë e dhunshme dhe terroristë të brendshëm”, u shpreh Biden.
Gjithashtu, presidenti i zgjedhur, që pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 20 janar, nuk kurseu as kritikat ndaj forcave të policisë, për të cilat tha se nëse protestuesit do të ishin pjesë e lëvizjes “Black Lives Matters”, reagimi i tyre do të ishte ndryshe.
Ai më tej shtoi se Donald Trump është përgjegjës për përdorimin e turmës për të mbyllur gojën e gati 160 milionë amerikanëve që votuan në nëntor.
“Trump e bëri të qartë përbuzjen e tij për demokracinë tonë, Kushtetutën tonë dhe lëshoi një sulm të plotë ndaj institucioneve demokratike, e cila përfundimisht çoi në dhunë në Kapitol.”, tha ai.
Autoritetet amerikane thanë se katër persona vdiqën në ngjarjet e dhunshme në Uashington.