Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu” ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të punonjëses së sigurisë në port, Artenida Haskasa, e cila u aksidentua për vdekje nga një trajler.
Përmes një postimi në Facebook, UAMD shkruan se kjo tragjedi i ka tronditur të gjithë, pedagogë e shokë të studentes 25-vjeçare.
“Me hidhërim të thellë morëm vesh lajmin e ndarjes nga jeta të studentes sonë Artineda Haskasa. Kjo tragjedi na ka tronditur të gjithëve, pedagogë e shokë të saj. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Haskasa dhe miqtë. Dritë të pastë shpirti Artineda!”, shkruhet në postim.
Ngjarja e rëndë ndodhi sot në orën 15:30 në ambientet e portit të Durrësit. Lidhur me ngjarjen, policia shoqëroi në komisariat drejtuesin e mjetit, 39-vjeçarin F.K, për veprime të mëtejshme.





