Llogaritë e Presidentit Donald Trump në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram janë pezulluar pas trazirave që ndodhën në Kongres, e ku mbetën të vdekur 4 persona dhe u arrestuan 52 të tjerë.

Zuckerberg tha se bllokimi në rrjetet sociale për Presidentit të Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë derisa të përfundojë tranzicioni i pushtetit në mënyrë paqësore sepse rreziqet janë “thjesht shumë të mëdha”.

“Ngjarjet tronditëse të 24 orëve të fundit tregojnë qartë se Presidenti Donald Trump synon të përdorë kohën e tij të mbetur në detyrë për të minuar tranzicionin paqësor dhe të ligjshëm tek pushteti i pasardhësi i tij i zgjedhur, Joe Biden,” tha Zuckerberg.

Facebook dhe rrjetet e tjera sociale hoqën një video të ngarkuar nga Donald Trump pasi godina e Kongresit të SHBA ishte sulmuar. Zuckerberg tha se lëvizja u bë pasi deklaratat kishin “gjasa” që të provokonin dhunë të mëtejshme.

Zuckerberg shtoi se Facebook e kishte lejuar Presidentin Trump të përdorte platformën ndërsa hiqte ose etiketonte përmbajtjen sepse kompania beson se “publiku ka të drejtë për qasje sa më të gjerë në fjalimin politik, madje edhe në fjalim të diskutueshëm”.

“Por konteksti aktual është krejtësisht i ndryshëm, duke përfshirë përdorimin e platformës sonë për të nxitur kryengritje të dhunshme kundër një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike,” tha ai të enjten.

Prandaj tha ai se kanë vendosur ta zgjasin bllokimin e llogarive në Facebook dhe Instagram për një kohë të pacaktuar dhe për të paktën dy javët e ardhshme derisa të përfundojë tranzicioni paqësor i pushtetit.