Qeveria shqiptare ka vendosur që të dalë garant në kredimarrje të gjitha kompanive të mëdha në vend që importojnë ushqime nga jashtë.
Kjo gjë është vendosur ditën e sotme, gjatë një ndryshimi në Aktin Normativ, përmes së cilit funksionon edhe Bordi i Transparencës për Ushqimet.
Kështu në rast se këto kompani duhet të marrin kredi për të financuar operacionet tregtare, qeveria u del garant.
Ky ndryshim gjithashtu parashikon situatën kur kompanitë duhet të mbajnë rezerva ushqimore deri në tre muaj, në mënyrë që të garanohet furnizimi pa ndërprerje.
“Të gjitha subjektet që tregtojnë produkte me shumicë, objekt i këtij akti normativ, të nevojshme për furnizimin e popullatës, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë, për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së veçantë të krijuar në treg.
Produktet e blera, me qëllim furnizimin e popullatës, në rastet kur me përfundimin e situatës së veçantë të krijuar në treg, nuk janë shitur në tregun e lirë, mund t’i shiten Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, me kërkesë të subjektit dhe sipas faturës me të cilën këto produkte janë blerë.
Rregullat dhe procedurat për blerjen e këtyre produkteve nga Drejtoria e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit të Mbrojtjes”, – thuhej në njoftim.