Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të dëmshpërblyer në shumën 10. 500 (dhjetë mijë e pesëqind) euro Mustafa Laçin, një nga punëtorët e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, i cili humbi bashkëshorten e tij pas shpërthimit të fuqishëm.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, firmosur nga kryeministri Edi Rama,  ku paratë e nevojshme do të merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.

“Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 19.10.2021, për çështjen “Laçi kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.28142/17, përfundimtar në datën 19.1.2022, në shumën 10 500 (dhjetë mijë e pesëqind) euro për mbulimin e dëmit jopasuror dhe kosto e shpenzime, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës, ku depozitohen shumat në datën e kryerjes së pagesës. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Mustafa Laçi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 19.10.2021. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Mustafa Laçi, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

Në rast mospagimi brenda afatit tremujor të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) për qind. Efekti financiar, i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.

Mustafa Laçi, punëtor i fabrikës famëkeqe të demontimit të armëve në Gërdec, fitoi përballjen me shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut në 2021. Laçi humbi gruan në këtë tragjedi, vetë u dëmtua në qafë, sy e veshë,  dhe kërkoi të drejtën nga shteti shqiptar, por mungesa e një pulle të postës në dokumentet e tij, bëri që dosja të zvarritej dhe ai të mos merrte drejtësi. Pas padisë së bërë në 3 prill 2017, Gjykata e Strasburgut ka vlerësuar se në këtë rast atij i janë shkelur të drejtat duke detyruar shtetin shqiptar që  t’i paguajë Mustafa Laçit 7,500 për vonesat, si dhe 3,000 euro për kostot e gjyqit.

/Shqiptarja.com/