Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka publikuar një vendim ditën e sotme ku thuhet se janë hequr kufizimet për pjesëmarrjen në seancat gjyqësore që do të mbahen në rrethe të ndryshme të Shqipërisë.
Sipas njoftimit, ky vendim, vinte për shkak të uljes së rasteve të reja të infektimeve me covid-19 dhe si pasojë nuk ishte më e nevojshme mbajtja në fuqi e kufizimeve të tilla.
Gjithsesi, në seanca të ndryshme, kufizimet për pjesëmarrjen mund të rishikohen në varësi të çështjes që po trajtohet.
“Bazuar në gjendjen aktuale të përhapjes së COVID-19, nga autoriteti kompetent, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 113 të Ligjit nr. 44/2015 ‘Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë” si dhe në zbatim të Vendimit të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga Corona virus i ri nr. 986/3 prot., datë 26.04.2020 është nxjerrë urdhri nr. 273 datë 26.04.2022 “Për shfuqizimin e urdhrit nr.351 datë 29.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së Covid-19’. Në këto kushte janë shfuqizuar të gjitha masat e veçanta dhe kufizimet e vendosura më parë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Nisur nga situata aktuale, ku përhapja e COVID-19 është reduktuar ndjeshëm, rezulton se shkaqet të cilat kanë sjellë kufizimet e mëparshme janë minimizuar në nivel kombëtar, duke diktuar kështu heqjen e çdo kufizimi të marrë më parë. Heqja e kufizimeve të mësipërme duhet të reflektojë edhe në masat që gjykatat duhet të marrin lidhur me zhvillimin e gjykimeve.
Në kushtet aktuale, duhet të vlerësohet rast pa rasti nga çdo gjykatë në marrjen e masave organizative specifike në shërbim të transparencës ndaj publikut dhe medias, si dhe ruajtjes së shëndetit të stafit të gjykatës dhe çdo përdoruesi të saj”, thuhet në letrën e GJKKO.