Vëllezërit Donald dhe Romeo Veshaj nuk i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë. Më 27 maj 2021 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë do të shqyrtojë dosjen e dy vëllezërve të cilët janë dënuar nga dy gjykata të mëparshme për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në 2013-n, kur Romeo dhe Donaldi ishin adoleshentë, gjimnazistë, mëson Oranews.

Rekursi është bërë nga prokurori i Prokurorisë së Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj i cili kërkon që dy vëllezërit të kryejnë dënimin në burg dhe jo tu pezullohet ashtu si ka vendosur gjykata e Vlorës dhe Gjykata e Apelit.

Dy gjykatat shpallën fajtorë dy vëllezërit për plagosje të rëndë me dashje të kryer në bashkëpunim dhe i dënuan me 2 vite burg por në bazë të nenit 59 të Kodit Penal urdhëruan pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim.

I shëmtuam fytyrën

Ora News ka siguruar dosjen ku tregohen të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 7 shkurt 2013 të ndodhur në afërsi të shkollës së mesme “Mustafa Qemal Ataturku” në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, si pasojë e një sherri të ndodhur mes disa personave është dëmtuar me mjete të forta Arjan L., banues po në këtë lagje.

Donaldi dhe Romeo ishin atëherë nxënës të shkollës së mesme “Reald”.

Më 6 shkurt 2013 rreth orës 13:30 Arjani ka qenë pranë shkollës “Mustafa Qemal Ataturku” i shoqëruar nga një tjetër në pritje të të fejuarës së tij e cila ishte nxënëse në këtë shkollë.

Në kohën që vajza ka dalë nga shkolla afër saj ka kaluar një makinë duke xhiruar gomat dhe bërë veprime provokuese të cilat kanë shqetësuar Arjanin dhe menjëherë ky i fundit ka ndaluar drejtuesin e mjetit Romeo Veshaj me të cilin ka debatuar dhe më pas të dy janë larguar, thuhet në dosjen e siguruar nga Ora News.

Një ditë më vonë, 7 shkurt 2013, rreth orëve të drekës, Arjani ka qenë po në afërsi të shkollës në shoqërinë e tre kushërinjve të vajzës në pritje të kësaj të fundit.

Më pas dy prej tyre janë larguar ndërsa Arjani dhe njëri prej kushërinjve dhe vajza janë nisur në drejtim të një qendre tregtare po në lagje.

“Në këtë moment Arjanin e kanë thirrur një grup personash mes tyre dhe Romeo dhe Donaldi. Fillimisht janë debatuar me Arjanin e më pas e kanë goditur të githë së bashku me sende të forta. Më aktiv në këtë ngjarje kanë qenë dy të pandehurit Romeo dhe Donald Veshaj. Në këtë ngjarje ata janë ndihmuar edhe nga persona të tjerë të cilët kanë qenë të pranishëm para ngjarjes dhe në vijim” thuhet në dosje.

Personat që kanë qenë në shoqërinë e Arjanit kanë mundësuar shuarjen e konfliktit dhe dërgimin e tij në spitalin civil për dhënien e ndihmës mjekësore.

Tërheqja e padisë

Në përfundim të hetimeve me vendimin e datës 11 korrik 2013 është vendosur mosfillimi i çështjes penale pasi i dëmtuari nuk është paraqitur për ekzaminim pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë dhe në vijim ka tërhequr ankimin e paraqitur lidhur me ngjarjen.

Por me shkresën e datës 5 gusht 2013 të dërguar nga instituti i Mjekësisë Ligjore rezultonte së dëmtimet e Arjan Lalajt në sherrin e 7 shkurtit ishin klasifikuar si plagosje të rëndë, pasi ato kanë dhënë shëmtim të përhershëm të fytyrës.

“Konkretisht i janë konstatuar thyerje e kockës së kokës, zhytje të dukshme në regjionin ballor në kokë, tronditje e trurit të shkallës së mesme. Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar me mjete të forta mprehëse dhe janë klasifikuar si plagosje e rëndë, kanë sjellë shëmtimin e përhershëm të fytyrës” shkruhet në dosjen e prokurorisë.

Romeo dhe Donaldi pranojnë sherrin

Gjatë hetimit janë pyetur disa persona mes tyre dhe i pandehuri Romeo dhe Donal Veshaj të cilët kanë dhënë shpjegime dhe kanë pranuar se ditën e ngjarjes janë përfshirë në konfliktin fizik me të dëmtuarin Arjan të ndihmuar dhe nga persona të tjerë.

“Grindja e ndodhur mes të dëmtuarit Arjan Lalaj dhe Romeo e Doland Veshaj e ka zanafillën një ditë më parë për shkak të debatit të zhvilluar midis të dëmtuarit dhe të pandehurit Romeo Veshaj.

Ndodhja e te pandehurve në vendin e ngjarjes me date 07.02.2013, në pritje të personit objekt sulmi, është për shkak të konfliktit të mëparshëm, pra të një dite më parë nga debati zhvilluar midis të dëmtuarit dhe të pandehurit Romeo.

Ditën e ngjarjes të pandehurit në marrëveshje të mëparshme midis tyre dhe me persona të tjerë nga të cilet janë ndihmuar për të goditur të dëmtuarin Arjan, për shkak të debatit midis tij me të pandehurin Romeo, kanë goditur të dëmtuarin me sende të forta në trup duke shkaktuar dëmtime të rënda të shëndetit”
 shkruhet në dosje.

Pse duhen dënuar

Prokuroria pranon se më vonë marrëdhëniet mes të pandehurve dhe të dëmtuarit janë normalizuar por kjo nuk justifikon gjykatën për të përcaktuar si mënyrë të vuajtjes së dënimit ndaj të pandehurve, atë të parashikuar nga neni 59 i Kodit Penal.

Prokuroria thotë se duhet pranuar fakti se rrezikshmëria shoqërore e të pandehurve është e lartë pavarësisht moshës, kjo dhe për mënyrën dhe mjetet e përdorura nga të pandehurit në funksion të realizimit të mendimit krimit.

Gjithashtu vepra penale për të cilat janë akuzuar është me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Për prokurorinë rrethanat lehtësuese që janë marrë parasysh nga gjykata nuk mund t’i mjaftonte të lejonte atë që të aplikonte për të pandehurit pezullimin e dënimit me burgim.

Prandaj më 27 maj 2022 prokuroria kërkon ndryshimin e vendimit të datës 5 prill 2017 të Gjykatës së Apelit të Vlorës dhe të datës 8 qershor 2015 të gjykatës së Vlorës duke mos aplikuar pezullimin e dënimit për të pandehurit.

Donald dhe Romeo Veshaj janë emra të përfolur në faqet rozë me historitë e tyre të dashurive.

—————-

Marrë nga  “Oranews”