Garda Kombëtare e SHBA dhe agjenci të tjera të rendit po dislokohen drejt selisë së Kongresit amerikan pas kryengritjes pro-Trump në Uashington, e cila arriti të ndalojë numërimin e votave elektorale.

Protestuesit me flamurët blu pro-Trump hynë sot me forcë në Dhomën e Senatit, ndërsa kongresmenë e senatorë shiheshin që dilnin në panik të shoqëruar nga rojet e sigurisë.

Në disa nga pamjet më impresionuese nga protesta e rrallë, shiheshin protestues triumfatorë që shijonin marrjen e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve, disa të tjerë të plagosur, si dhe disa të armatosur me spraj djegës, që normalisht duhet të përdorej nga policia për shpërndarjen e turmave.

Presidenti Donald Trump bëri thirrje në mesazhin e tij për largimin e turmave dhe pas kaosit të shkaktuar në selinë e pushtetit amerikan, pritet tërheqja e ‘baticës popullore’.