Ronela Hajati është shndërruar në kryefjalën e mediave, jo vetëm shqiptare, por edhe ndërkombëtare. Duket se performanca e saj në “Eurosong” nuk është pëlqyer nga mediat ndërkombëtare, që jo vetëm e kanë renditur në 3 këngët më të këqija, por nuk i kanë shmangur edhe ironitë me performancën si dhe këngën e këngëtares sonë.

Por teksa mediat italiane, por edhe ato angleze ,vijojnë të shkruajnë për artisten tonë, duket se ky fakt e ka mërzitur jo pak artisten tonë. Veç reagimeve sporadike në rrjetet sociale, bëhet me dije se Ronela po përballet me një moment të vështirë të karrierës së saj. Artisja ka vendosur që të heshtë në lidhje me të gjitha deklaratat, artikujt, komentet e bëra. Nga burimet e afërta kemi mundur të mësojmë se këngëtarja po përjeton një moment të vështirë, që ia ka vështirësuar jo pak ditët, që duhet të ishin ditë gëzimi për të.

Dhe në fakt, gjendja e vështirë e saj duket edhe nga statusi i saj në “Instagram”. Këngëtarja Ronela Hajati ka reaguar pasi kënga e saj “Sekret” nuk u kualifikua për natën finale të festivalit më të madh europian, “Eurovision”. Me anë të një postimi në “Instagram”, Hajati thotë se e priste këtë rezultat ndërsa është e bindur se ka fituar dashurinë e njerëzve.

“Edhe nëse do të isha në finale, do të renditesha e fundit! E dija! Por dashuria që kam marrë është pamasë! Unë e fitova ‘Eurovision’, sepse fitova publikun! Dhe publiku është gjithmonë i drejtë! Ju dua”, shkroi këngëtarja. Më pas ajo ka reaguar sërish duke thënë se e ka merituar finalen. “Ende nuk e kam parë, sepse nuk mundem. Dje dola për të pirë, për të harruar dhe kjo ndodhi! Plus performanca e ‘Sekret’ është 1 milion! Ende e ndjej këtë dhimbje të madhe në gjoks, sepse e merituam këtë finale, por Zoti i di gjërat më mirë! TE DUA”, shkruan ajo.

Ndërkohë, të gjithë bashkëpunëtorët e saj në “Eurosong” kanë zgjedhur të mos flasin më për këtë eksperiencë të hidhur. Nga ana tjetër, mediat kanë vijuar me shkrime aspak mbështetëse ndaj artistes sonë. Mediat italiane kanë renditur Ronela Hajatin në 3 këngët më të këqija në Eurosong. ‘La Repubblica’ ka publikuar 3 këngët më të mira si dhe më të këqijat të këtij edicioni dhe duket se Shqipëria këtë herë është listuar në listën aspak dashamirëse.

“Ronela, e konsideruar si mbretëresha e showbizzit së Shqipërisë, autore për veten dhe për artistë të tjerë, eksperte në talent show, duke marrë pjesë në dhjetëra programe e ndonjëherë edhe fituese, mbërrin e ashpër në ‘Eurovizion’ dhe na ofron një përleshje pa frymë, për të cilën nuk është nevoja. Dukej si përzierje reggaeton dhe repit të dobët”, mbyll shkrimin e saj ‘La Repubblica’ për Ronela Hajatin.

Bashkë me të në 17 listën e këngëve më të këqija është edhe Lituania si dhe Danimarka. Madje në një vlerësim me nota, ata i kanë dhënë 4 artistes sonë për zgjedhjen e bërë. Duke vlerësuar energjinë që i solli mbrëmjes, mediat nuk i kanë kursyer batutat për Ronela Hajatin.

“Reggaeton dhe folklori ballkanik: Dikush të na japë antidotin menjëherë… Nëse nuk mjafton ajo që keni parë live, shkoni gjejeni videon në YouTube: Një fantazi mesjetare si ‘Game of Thrones’ për të treguar një histori dashurie të fshehta, tradhti, seks dhe gjak. Zëri i fuqishëm, por jo gjithmonë i përqendruar! Ronela vendosi dorën në zonën intime gjatë performancës, që Eurovizioni e kishte censuruar në rrjetet sociale (por a i njohin Michael Jackson dhe Madonna?). Gjithsesi, artistja e realizoi performancën e saj”, shkruanin mediat italiane, duke pasur ‘ankesa’ edhe për zërin e artistes shqiptar.

Nga ana tjetër edhe “Corriere della Sera” nuk është treguar shumë dashamirëse me përfaqësuesen tonë në Eurosong. “Nderim për luftëtarët e Genghis Khan-it, ndoshta kjo ka qenë pamja e shqiptares Ronela Hajati me bishtin. Busti me efekt trapez me një dekolte dhe këmbë mjaft provokuese, si koreografia që shoqëroi performancën. Me siguri fillimi i mbrëmjes plot energji, ndoshta nëse do të kishte shpenzuar pak më shumë në zgjedhjen e look-ut do të kishte qenë një investim i mirë”, thuhej në shkrim.

Ndërkohë për gjendjen e vështirë psikologjike të këngëtares sonë ka folur edhe kryeredaktori i “Wiwiblogs”, William Lee Adams. Pse nuk shkoi Ronela Hajati në finale ishte pyetja që iu bë Lee. “Nuk e dimë derisa të shohim rezultatet të shtunën. Por tani është e vështirë të themi. Rezultatet e jurisë jepen pas finales së madhe. Ka patur 200 gazetarë, brohoritma shumë dhe është pëlqyer performanca e Ronelës. Juria do të zbulojë votat pas finales së madhe”, tha Lee Adams.

Ndërsa i pyetur nëse ka komunikuar me këngëtaren shqiptare, gazetari u shpreh se “po”. “Kam biseduar përmes ‘WhatsApp’ pas rezultateve për në finale. Më nisi një foto dhe duket se është pak e lënduar. Por ka fituar shumë fansa nga e gjithë Europa”, përfundoi ai.

Ajo ka vendosur t’u kundërpërgjigjet të gjitha kritikave dhe komenteve negative me një status ironik në rrjetet sociale. “Ore Shqipe, po na këndoni ndonjë këngë tjetër të Eurovision apo vetëm timen keni qejf? Sa të mirë që jeni. Në fakt mua më shumë më pëlqeu si u duka. Si shpirt! #shqipëriaderinëvdekje #askushnuktëdosashqipet”, shkruan këngëtarja në një postim në “Instastory”, duke iu referuar komenteve negative që sipas saj më së shumti kanë qenë nga shqiptarët.

Megjithatë ka pasur edhe nga ata që e kanë mbështetur artisten tonë. Krahas kolegëve që e kanë mbështetur dhe e kanë vlerësuar për performancën e saj, edhe mediat angleze janë rradhitur në krah të Ronelës. Jehona e Eurovision dhe e moskualifikimit të Ronelës ka arritur deri në Mbretërinë e Bashkuar. Së fundmi ka qenë media e mirënjohur britanike “Metro” e cila ka folur mbi gjysmëfinalen e parë të ‘Eurovision’ dhe për skualifikimin e Ronela Hajatit. Ato e kanë konsideruar si befasi gjithçka ndodhi.

“Përfaqësuesja e Shqipërisë, Ronela Hajati, mori një përgjigje të ngrohtë nga shikuesit në shtëpi, ku shumë vlerësuan performancën e saj pozitive dhe seksi. Por, me sa duket, nuk ishte e mjaftueshme për të bindur votuesit pasi ajo nuk fitoi një vend në 10-shen e fundit”, shkruan Metro në shkrimin e tyre.

Ju kujtojmë që një ditë më parë në një postim në ‘Instagram’, Ronela ka publikuar një screenshot që tregon se performanca e saj e mbrëmshme ka rreth 1 milion klikime. Dhe një video nga një club në Itali ku ka shkuar mbrëmë pas ‘Eurovisionit’ për të pirë dhe harruar, por është përballur me një surprizë të këndshme. Të gjithë të pranishmit kanë nisur të duartrokasin dhe brohorasin emrin e saj teksa Ronela ka shpërthyer në lot.

“Ende nuk e kam parë, sepse nuk mundem. Dje dola për të pirë, për të harruar dhe kjo ndodhi! Plus performanca e ‘Sekret’ është 1 milion! Ende e ndjej këtë dhimbje të madhe në gjoks, sepse e merituam këtë finale, por Zoti i di gjërat më mirë! JU DUA”, shkruante ajo. Performanca e këngëtares shqiptare në gjysmëfinalen e “Eurovision Song Contest” është më e klikuar në ‘YouTube’ nga nata e parë, pas “Stefania” të grupit Kalush Orchestra, përfaqësues të Ukrainës.

Ronela ka arritur të bëjë për vete shumë njerëz që e kanë mbështetur vazhdimisht edhe online dhe janë shprehur të zhgënjyer për moskualifikimin e saj. Videoja e performancës së saj numëron mbi 2 milion klikime deri tani, ku kanë kaluar vetëm 24 orë. Megjithatë, duket se kjo nuk e ka ngushëlluar aspak artisten tonë, e cila ka zgjedhur që këtë moment të vështirë psikologjik ta kalojë në heshtje, duke marrë pak kohë për t’u rikuperuar./Panorama Plus