Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias këtë të hënë viziton Tiranën, duke e nisur ndalesën e tij në Shqipëri me një takim me kryepeshkopin Anastas, për ta vazhduar më pas me takimin me kryeministrin Edi Rama dhe homologen Olta Xhaçka.

Duket se këtë herë Athina është e interesuar dukshëm për një qasje të re me faktorin shqiptar, i cili ka dhënë prova bindëse se është faktor stabiliteti dhe prosperiteti në rajon, çka u duk qartë në zgjidhjen e emrit të Maqedonisë së Veriut, por edhe situatën aktuale me luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike.

Nikos Dendias vjen në Tiranë i interesuar për të rritur ndjeshëm bashkëpunimin dypalësh. Ai sjell me vete plane për projekte të përbashkëta energjetike e infrastrukturore si dhe mbështetje të vendit tonë në një sërë nismash dhe projektesh të rëndësishme ekonomike rajonale.

Bie ne sy fakti që këtë herë, Athina nuk ka në krye të agjendës së saj zgjidhjen e çështjes së detit, jo vetëm sepse palët i janë drejtuar Hagës, por edhe sepse në presidencë ndodhet ende Ilir Meta, që nga grekët shihet tashmë si minues i zgjidhjes së problemeve mes dy vendeve.

Madje Nikos Dendias nuk ka përfshirë në agjendën e tij asnjë kontakt me presidentin dhe aleatët e tij politikë, duke dhënë kështu një mesazh të qartë se Athina nuk ia harron refuzimin e pa kuptimtë që presidenti i bëri diskutimeve të pak viteve më parë mes dy vendeve, pavarësisht se atëherë Greqia qeverisej prej Aleksis Tcipras.