In memoriam

Lamtumirë Shpresa, gjithnjë pranë nesh!

BUJAR QESJA

E mbyllëm vitin 2020 me lot dhe dhimbje, për ti rinisur sërish në këtë fillim të vitit 2021. Ende nuk jemi mësuar, se telefonatat janë vetëm për urim. Dhe kemi të drejtë me atë çfarë po heqim. Kështu ndodhi edhe me telefonatën, që sapo ra në celularin tim.

-Shpresa Prodani u nda nga jeta.

Kaq ishte e mjaftë për t’iu rikthyer dhimbjeve e dhimbjeve, që na u vargëzuan dukshëm. Shpresa Prodani jetoi plot 16 vite, me hidhërimin e pafund që i la largimi nga jeta i bashkshortit të saj, shokut tonë të paharruar Shpëtimit. Me plot kurajo dhe inisiativë, lotët i zëvëndosi me mbajtjen e amanetit të të shoqit, për të vazhduar punët që la në mes dhe për t’iu përkushtuar familjes.

Dhe Shpresa u kthye në një shpresë të vërtetë. Drejtoi me aftësi kompaninë e transportit “DyrrahSped”. Këtu pati edhe mbështetjen e të birit, të mirit dhe të urtit mikut tonë Jonadrit. Jonadri drejton edhe një portal të rëndësishëm “DurrësLajm”, duke rritur dita ditës reputacionin dhe konkurencën.

Shpresa Prodani u angazhua në të gjitha frontet, në atë familjes, të punës dhe në shoqëri. Nuk e la vëndin bosh në Rotary Club, që krijoi largimi nga jeta i Shpëtimit. Madje u bë drejtuese e tij. Aftësitë organizative, përshtatshmëria si profesioniste, korrektesa dhe serioziteti me palët bashkëpunese, raportet model që krijoi me kolegët dhe punonjësit e tjerë, ia ngritën personalitetin Shpresa Prodanit, duke e bërë një zonjë të nderuar në Durrës. Ishin këto vlera, që ndikuan në dhënien e titullit të lartë “Nderi i Qytetit të Durrësit”.

Shpresa Prodani! Nuk jeton më bashkëshortja e Shpëtimit tonë. Nuk jeton më nëna e Jonadrit, shokut tonë të rrallë. Por edhe Dionisi, Darsi dhe Amber nuk do t’ia dëgjojnë më zërin e dashur, të së dashurës së tyre gjyshe Shpresës. Por edhe Mirës, gruaja fisnike e Jonadrit, do t’i mungojë Shpresa që e kishte si nënë të dytë.

Familja e Shpëtim Prodanit, është në dhimbje. Pikëllimi i dytë i madh që ra në shpirtin e tyre.

Shpresa Prodani vërtet nuk jeton, por zor se mendohet, se s’do të jetë aktive në memorien e atyre, që e njohën dhe bashkëpunuan me të.

Puna e saj, xhentilesa dhe mirësia e rënë si nga qielli, e qeshura dhe komunikimi si një fisnike, janë fiksuar thellë e nuk shkiten nga kujtesa. Sa mirë kur një zonjë e tillë, lë pas këto mbresa, këto ndjenja. Edhe më tej do ta kemi pranë Shpresën dhe do të na duket sikur na thotë :

-Unë nuk kam ikur. Jam këtu së bashku me ju. Jam në punët tuaja, në vështirësitë tuaja, në lumturinë tuaj, në jetën tuaj.

Dhe ne na takon nëpërmjet dhimbjes, por edhe dëshirës së pafund për të mos të të harruar, të shprehemi me zërin e shpirtit tonë:

Lamtumirë Shpresa! Gjithnjë pranë nesh!

Durrës: 4 janar 2021