Pasditën e kësaj të hëne u nda nga jeta sipërmarrësja e njohur në Durrës, Shpresa Prodani, ndërkohë që ditën e nesërme (5 janar) në orën 13:00 do të mbahen homazhe te pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu” në nderim të figurës së saj.

Më pas, zonja Prodani do të përcillet për në banesën e fundit në orën 14:00.

Ajo u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe dashamirësit e shumtë që patën fatin të njohin dhe bashkëpunojnë me zonjën Prodani.

Pas vdekjes së të shoqit, prej vitit 2004 ajo mori drejtimin e kompanisë së transportit “DyrrahSped” duke arritur të bëhet një nga sipërmarrëset më të suksesshme në Shqipëri.

Krahas angazhimit në kompaninë “DyrrahSped”, ajo do të ishte një nga anëtaret më aktive të Rotary Club Durrës, ndërsa në vitet 2016-2017 presidente e kësaj organizate. 

Gjithashtu, Shpresa Prodani ishte edhe aksionere në kompaninë e njohur të sigurimeve SIGMA, ndërsa nga viti 2005, u bë anëtare e Universal Freight Organization me qendër në Londër.

Në vitin 2013, Bashkia Durrës dhe Shoqata Durrësi, i akorduan zonjës Prodani titullin e lartë “Nderi i qytetit” për të gjithë angazhimin aktiv në fushën e biznesit.