Në këtë prag sezoni të nxehtë, kur rrezet po arrijnë kulmin, scrub-i i lëkurës është ndoshta produkti më i rëndësishëm. Për ta mbajtur lëkurën sa më të butë gjatë gjithë verës, ka një mënyrë pastrimi e cila nuk të kushton dhe pastron në thellësi. Përveç kësaj, ka edhe një aromë shumë të mirë. Në vend që të shikosh e kërkosh pa fund nëpër dyqane për të gjetur produkte me kimikate nga më të ndryshmet, që bllokojnë poret, pastroje lëkurën gjatë këtij sezoni me produktet e shtëpisë.

Scrub me Lime dhe kripë deti (kripë e zezë)

Ka një aromë si një mojito e freskët, por është edhe një përzierje që të ndihmon shumë me pastrimin. Kripa e detit dhe lime do t’i japë një zgjim të ri lëkurës. Nëse ke këtë agrume në shtëpi, recetën mund ta përdorësh çdo javë. Kripa e detit, siç dihet, është e pasur me minerale si magnez dhe kalcium, hap dhe pastron poret e bllokuara, eliminon puçrrat dhe lufton shenjat e moshës.

Si ta përdorësh? Fare e thjeshtë. Mbi 4-5 lugë kripë gjelle hidh lëngun e një lime dhe pasi ta kesh përzier masën, fillo aplikimin në të gjithë trupin. Pas një masazhi të lehtë për disa minuta, shpëlaje trupin si zakonisht me ujë të vakët.