Nga Aleksandër Cangonja

Në vazhdim të diskutimit në parlament të deputetit të Gjirokastrës Vasil Bamiha: “Mos t’i marrim me lehtesi këto punë se pastaj na kerkohen taksa të reja, dhe ata qi marrin të tilla inicjative lypet t’a studjojnë çeshtjen mire, të pregatisin budgetin e planin dhe pas fuqis qi kemi të bajmë edhe shpenzimet, se me të vertetë Kryetari i jonë ka merita të çmueshme, po të bajmë e mos të nisim sende qi s’mund të bajmë, se atëherë do të bahena dhe gazi i botës.”

E ndërsa Musa Juka në cilësinë e Ministri të Punëve të Brendshme i përgjigjet deputetit gjirokastrit se është jashtë temës përsa i përket ligjit që pritet të votohet, kurse për shqetësimet se në ndërtimin e Vilës në Durrës po abuzohet ai i përgjigjet se për të kontrolluar abuzimet ose jo është formuar një komison i posaçëm i cili survejon të gjitha shpenzimet.

Reagimi i ashpër i deputetit Selaudin Blloshmi:

Fjalën e merr deputeti i Elbasanit Selaudin Blloshmi, i acaruar së tepërmi për “trukun”e përdorur nga qeveria, e cila kishte hedhur për diskutim vendosjen e një takse për ngritjen e ndërtesave në Durrës por që në të vërtetë të ardhurat e kësaj takse do përdoreshin për rindërtimin e Vilës së Zogut për të cilën garant kishte dalë “populli i Durrësit”, ai në fjalën e tij do shprehej: “Nji ditë kuer erdhi bisedimi mbi ket dekret-ligjë u thane do fjalë e edhe dikush tha se këjo taksë qi kerkohet asht për binanë presidenciale të Durrësit. Unë thashë, mbi ketë aluzion qi u ba, se në ketë dekret ligjë nuk rezulton nji gja kësisojit, se vilen presidenciale po e ban populli i Durrësit, dhe si kemi ndigjue edhe Presidenti vetë ka dhanë para. Nji inisiativë qi merret prej nji qyteti, ajo nuk lypet të kalojë nëpër Parlament me nji ligjë të posaçme, se ketë vile e ban vetë populli i Durrësit, dhe ne për këtë e falënderojm. Po kuer nji qytet, thotë do të baj ketë punë, e nisë e e len për gjymsë, dhe pastaj kerkohet t’u bahet ballë shpenzimevet me t’ardhunat e Shtetit atëhere me duket se çashtja ndryshon, e këjo vilë baher jo me shpenzime të popullit të Durrësit, po këtu hyenë nji çështje financjare e Shtetit. E dini fare mire Z. e juej se kuer hyenë çeshtje financjare e Shtetit, atherë bahet nji projekti cili votohet a po refuzohet prej Parlamenti. Prandaj duhet ta ndajmë çështjen, se un e konsideroj, se Vilen Presidenciale e ban populli i Durrësit; kështu e di. Se vilen e Tiranës, e ban populli i Tiranës, e ashtu të vendeve të tjera. Vertet se këto qytete bajnë nji vepër madheshtore, po në qoftë se edhe për këto qytete kerkohet të vihet nji taksë indirekte për me i ba ballë shpenzimeve të vilës, atëhere këto vila nuk i bajnë populli i Tiranës e Durrësit a po i Shkodres po I ban Shtetit dhe lypet të falnderojmë Shtetin e popullin qi konseston të pranojnë nji takës të tillë. E falenderoj të nder. Minis. e P. të Mbr. qi e tha kjarisht perse lypet këjo taksë, se nji ditë mbeti e errët. Bravo i kjoftë ! Kur asht puna kështu, këjo taksë e re qi vihet pë ndreqjen e vilës Presidencjale në Durrës, nuk paguhet prej popullit të Durrëst po prej gjithë popullit Shqiptar se malli qi del prej Durrësit e çohet në vende të nderyeshme qi ravitajohen në Durrës, konsumohen po thuej prej 2/3 të Shqipnis. Pra, un tue e hjekë madhështin e Durrsit, ketë taksë e aprovoj he tham se populli Shqiptar asht ai qi e ban vilen Presidencjale në Durrës a jo populli i Durrësit.”

Deputeti Hiqmet Delvina ul tonet dhe kërkon transparencë

Mbas fjalëve të Deputetit Blloshmi, fjalën në parlament e merr deputeti Hiqmet Delvina. Ai duke u përpjekur të ulë sa më shumë tonet në sallë të cilat ishin ngritur së tepërmi nga disa deputetë, shprehet se xhesti i popullit të Durrësit është për t’u vlerësuar duke qenë se një popull i vogël të mbledhë një shumë rreth 4000-5000 frangash ari.

Gjithashtu ai i kërkon Ministrit Musa Juka që të hetoj fjalët që fliten se komisioni që ndjek punimet ka abuzuar me fondet dhe se janë pasuruar prej saj, më poshtë fjala e Hiqmet Delvinës: “Kryetar! Un nuk bashkohem me fjalët e Z. Blloshmit e ma sparit duhet të falenderoj popullin shqiptar të Durrësit i cili mori inicjativen e parë për nji vepër madhështore e gjer tani ka prishun nji shumë prej 4-5 napoljonash mbassi e filloj se bani nji sakrifis ai popull asht për t’u nderue. Pse tani nuk i a rinë fuqija financjare për me e plotësue, asht faji pse asht nji popull i vogël, d.m.th. shtri kamen sa ke jorganin. Un nga pikëpamja e ime si për madhështin e Kryetarit të Shteti e shof me nevojë të jetë nji vilë në Durrës për të shtrejtin Kryetarin e t’onë dhe me qenë se shpenzimet nuk mjaftuen, Shteti për mos me ngarkue budgetin e vet, bani nji drekt-ligjë mbas së cilës do të baskkajapin të gjithë popullin shqiptar për ndreqjen e kësajë vile, po kurdoherë si inicjator do të jetë Durrsi, po i ndihmuem nga të gjithë populli Shqipnis. Me qenë se vila ka fillur ka ma se nji motmot dhe akoma s’asht marue, jam i mendjes qi këjo dekret ligjë t’aprovohet; vetem do t’i lutem Z.Minis. të P. të Mbr. n’asht se janë të verteta fjalët qi thuhen naltë e poshtë, se disa të komisjonit kanë vjedhun e janë ba pasanikë me ketë çështje, mos të ketë mëshirë për ta e t’i marrin këto mbaskaraj me shqelma e t’i dergojnë në gjyq. Do t’i lutem Z.së tij të marrin mundim e të shkoj deri atje vet dhe n’asht se vertetohen këto abuzime, ata qi i kanë ba t’i ndjekun pa mëshiret dhe të jepet urdhen nji orë e ma parë të mbarohet këjo vile.”

Pas mbylljes së fjalës nga ana e Hiqmet Delvinës fjalën e mori përsëri Ministri Juka i cili i siguroi se ndertimi i vilës do mbarojë në dy muajt e ardhshëm e ndërsa për korrupsionin që aludohej ai u shpreh se e gjithë situata është nën vëzhgimin e tij.