Nga Gëzim Kabashi
“Kompozitori Rauf Dhomi i takon një gjenerate më të hershme, por ai zë një vend tepër të merituar në Kosovë, pasi është krijuesi i dy operave të para kosovare, ndërsa krijimtaria e tij është e mjaft e bollshme dhe e larmishme”.
Kështu e ka nisur ligjërimin e saj në Firence, prof. ass. Syzana Jakupi, studiuese dhe pedagoge e pianos në Pejë, e vetmja që kishte përzgjedhur të analizonte veprën e një kompozitori në kuadër të “Renaissance – Rilindjes”.
Jakupi përfaqësoi Kosovën me temën “Vepra pianistike e kompozitorit Rauf Dhomi – Analizë interpretative” në Konferencën e 9-të ndërkombëtare shkencore “Magjia e Renesansës”, e cila u mbajt këto ditë në Firence.
Renesansa kosovare në muzikë
Shumë vende europiane periudhën dhe magjinë e renesansës e kanë përjetuar më herët, ndërsa Kosova renesansën-rilindjen e vertetë po e përjeton tani, pas vitit 2008, kur fitoi pavaresine e saj- vlerësoi prof. ass. Jakupi, përballë kolegëve të saj nga Kroacia, Rumania, Kosova, Greqia, Austria, Republika Çeke, Lituania, etj.
Sipas prof. Jakupit, “karakteristikat përgjithësuese të renesansës kosovare shprehen në një periudhë kohore prej më pak se njëzet vitesh të fundit, me një vrull dhe energji të pastër , të akumuluar prej kohësh në një komb të tërë duke përfshirë të gjitha fushat e jetës.
Edhe pse historikisht shumë sfida kanë përcjellur artistin Kosovar, ai megjithatë ka potencialin që të kalojë mbi to për të bukurën dhe të magjishmen. Prandaj magjia e renesansës po ndodh tani duke dhënë shumë njerëz nga bota e artit si instrumentistë, këngëtar , e kompozitor që kanë zënë vend meritor në skenat e rëndësishme të europës dhe kudo nëpër botë”.
Studiuesja nga Kosova tha se “synimi i saj është sensibilizimi i artit muzikor kosovar dhe njohja e literaturës kosovare të muzikës pianistike, e cila ngërthen në vehte edhe elementet e muzikës së renesansës me format dhe atributet e saj, por edhe me shkëmbime përvojash e bashkëpunime me botën artistike europiane, qoftë përmes koncerteve , pjesëmarrje konferencash apo edhe forma të tjera”.
Kompozitori Rauf Dhomi, 70 vepra pianistike
Më tej përfaqësuesja e Kosovës në Konferencë u ndaj në veprat pianistike të kompozitorit Rauf Dhomi.
Sipas studiueses, artisti kosovar që herët synon që krahas veprave madhore të gjinisë operistike, muzikës korale e pothuajse të të gjitha formave që përbëjnë krijimtarinë e tij artistike, të japë kontributin e tij edhe në muzikën pianistike, si nevojë e domosdoshme e shprehjes së botës së tij emocionale .
Studiuesja Jakupi shtoi se “si njohës i mirë i mundësive teknike e interpretative të instrumentit të pianos Dhomi sikur i jep përparësi këtij instrumenti, duke u renditur në grupin e kompozitorëve të shquar, edhe nga ana tjetër e kufirit në Shqipëri si: Fehmi Ibrahimi , Tonin Harapi , Çesk Zadeja , Nikolla Zoraqi , Kozma Lara , etj, ndërsa interpretimi i këtyre veprave ka tejkaluar kufinjtë mbarëshqiptar dhe tani ato njihen edhe ndërkombëtarisht”.
Sipas saj, “ky lloj i veprave të kompozitorit Dhomi, asesi nuk i përket ndonjë metode apo shkolle pianistike, por gjithsesi përmes një sërë elementësh të nevojshëm për një interpretim përmbajtësor , dhe kërkesash të ndryshme teknike, muzikore e interpretative mund të gjenden pika takuese, të cilat bëjnë një ndërlidhje logjike të aspektit didaktik me atë artistic, duke u bartur në nivele të ndryshme pjekurie muzikore në synimin për një realizim të kompletuar tingëllor”.
Disa vepra si : Scherzo, Kujtimet, Nocturno Kosovare, Impresione Dardane etj. janë kompozuar shumë herët, por që në faza të caktuara kohore kompozitori i ka rikomponuar e përpunuar.
Brendia e këtij opusi përfshin një spektër të gjerë veprash me forma e përmbajtje muzikore nga më të ndryshme, të cilat janë një mundësi e mirë përzgjedhjeje varësisht nga kërkesat, niveli, disponimi apo edhe shija e vetë interpretuesit.
Ato shquhen si vepra formash të ndryshme muzikore si Sonata, Tema me Variacione, Passacaglia, të cilat kanë karakteristikat dhe veçoritë e veta, por mbesin gjithnjë në format standarde të të kompozuarit, me dallim në shprehjen muzikore artistike.
Disa të tilla si “Fantazi Solemne” janë të tipit koncertant dhe për shumë interpretë këto vepra mund të jenë pjesë e përhershme në programet e tyre koncertale nënvizon studiuesja Jakupi.
Në opusin krijues të Rauf Dhomit vend të rëndësishëm zenë gjashtë Fugat e kompozuara për 2, 3 apo 4 zëra. Megjithëse janë kompozuar në principet e paracaktuara nga koha Bah-oviane dhe janë të formës standard, ato tingëllojnë shqip dhe lirisht do të mund të emërtoheshin si “Gjashtë Fuga Shqipe”.
Kompozitori Rauf Dhomi nuk anashkaloi as botën fëmijërore , prandaj një fond i konsiderueshëm veprash është rezervuar edhe për moshën më të re, atë të fëmijëve.
Duke u ndalur veçanërisht në kontributet e kompozitorit Rauf Dhomi jo vetëm si muzikant, studiuesja Jakupi shkruan mbi ndihmesën e tij për nevojën e formimit të origjinalitetit kombëtar apo shtetëror.
Opera e tij “Goca e Kaçanikut” u inskenua me rastin e manifestimit të 100 – vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, edhe në teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë më 1978-n.
Krijimtaria e R. Dhomit është e pasur dhe e larmishme.
Ai ka kompozuar në të gjitha gjinitë e muzikës, me një prirje të veçantë për muzikën vokale (koralet e shumta dhe veprat skenike ku përveç operave mund të përmendim edhe muzikën për teatër, rreth 300 të tilla për veprat dramatike në teatrot e Prishtinës, Gjakovës, Pejës, Shkupit, Prizrenit etj.
Arti nuk njeh kufi, – tha znj. Syzana Jakupi gjatë prezantimit, që synon një ndërlidhje përmbajtësore të temës me atë që vetë titulli i konferencës shfaq si “Magjia e Renesansës“.
Syzana Jakupi është aktualisht Profesore e Asociuar në Fakultetin e Muzikës së Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.
Jakupi ka interpretuar gjithashtu në koncerte të organizuara në Kosovë, Turqi, Bullgari, Gjermani, Maqedoni, Mali i Zi, Itali, etj.