BUJAR QESJA

Është një foto e fiksuar në dimrin e vitit 2011. Niko Profkola është në qiellin e shtatë të kënaqësisë. Në një ditë ka rrokur dy lavdi të merituara: “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi i Durrësit”. Isha pranë tij në këtë ditë, siç kam qenë pranë tij në tërë kohën si basketbollist, si trajner, si angazhues i qytetarisë durrsake.

Virtuoz në lojë, i patolerueshëm në korrektesën shoqërore, trajner me norma të palëvizura dhe gjithnjë i miri, i zakonshmi, beniamini i tifozërisë durrsake Niko Profkola. Në kulmin e karrierës, por në kulmin edhe të një lufte të sistemit ndaj përbërjes biografike. Pa dyshim në brezin që zbuloi Bashkim Taga, që e ujiti me mjeshtri në kopështin e bukur të basketbollit durrsak i madhi Dhimitraq Goga, mbetet si kurorë lavdie ky Niko Profkola.

Foto që më emocionon. Janë dy shokë, dy miq, dy zemra që gjithnjë rrahin për interesa të basketbollit, kulturës dhe zhvillimeve qytetare të Durrësit. Janë dy miq, që e ruajtën të pastër bindjen përkushtuese për qytetin e lindjes. Janë pjesë e pandarë e tij, të cilin e kanë dashur, e duan dhe do ta duan sa të munden.

Kur thua Profkola, kujtimet të vendosin në morsën e tyre dhe vitrina e shikimit bëhet e larmishme. Parakalojnë portrete, kapituj, histori, personazhe, shembuj të artë të asaj që është kërkuar dhe që është arritur.
E kam ruajtur si gjë të çmuar këtë foto, me një portret që mbetet madhështor. Nuk takohemi shpesh me Niko Profkolën. Secili është në jetën e tij. Por kurrë nuk harrojmë përbashkimin shpirtëror, kur bëhet fjalë për Durrësin dhe durrsakët.

Nikon e fortë, Nikon e bukur si hyjni, prej vitesh e ka goditur një diabet rebel që ia ka mpakur shtatin. E tash së fundi me sa kam mundur të informohem, ka probleme me stomakun. Është bërë edhe ndërhyrje. Situatat nuk janë fort të lehta, por një njeri në karakterin e Niko Profkolës sfidon. Sfidon për ta bërë të pamundurën të mundur. Gjithnjë Profkola ynë është ndeshur me kundërshtarë. Kanë qenë kundërshtarë sportiv, por edhe politikë. Tani është vënë përballë një ndeshje të vështirë, atë të një ngacmimi jetësor.

Niko Profkola sfidues i njohur. Dhe në këtë sfidë fitorja sado e vështirë, ka qenë në anën e Profkolës. Kam bindjes e plotë, se sfidat e fundit do të kapërcëhen dhe kjo emblemë sportive dhe qytetare durrsake, do ta rrisë shkëlqimin.
Dy miq, dy shokë, dy zemra që ushqehen nga respekti dhe mirnjohja. Profkola një kryemjeshtër! Profkola një kryezotni! Profkola gjithnjë i madhi ynë!

Të duam Niko, Profkola ynë i mrekullueshëm! Dhe për shumë vite pranë Durrësit dhe durrsakëve.
Bindja ime mbështet në Zot dhe në atë çka ndjej. Virtuozi ynë do të vazhdojë të na mrekulloj. Dhe kjo na gëzon shumë.

Durrës: 2 qershor 2022

Në pamje: Dy “Mjeshtrat e Mëdhenj” Niko Profkola (majtas) dhe Bujar Qesja.
Janar 2011