Tre ditë pas vrasjes makabre të dy motrave Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani, autori Përparim Ademi doli këtë të shtunë, 2 janar 2021, para togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë.
Në seancën me dyer të mbyllura u evidentua marrëdhënia jashtëmartesore që Ademi ka patur fillimisht me Kristinën e nisur 20 vite më parë, ndërsa pas ndarjes ai është lidhur me motrën tjetër, Zhanetën.
Autori i krimit makabër para gjyqtarit Gerd Hoxha, ka pretenduar se ka një fëmijë me njërën prej motrave, por që nuk e ka regjistruar në emrin e tij. Për këtë arsye akuza e vrasjes në rrethana cilësuese është ndryshuar nga prokuroria në “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Grupi hetimor ka marrë në pyetjen dhe bashkëshorten e Ademit e cila është shprehur se ka qenë në dijeni të tradhtisë së bashkëshortit me dy motrat.
Bashkëshortja e Ademit në deklaratën e saj para grupit hetimor është shprehur se e ka ditur tradhëtinë por për të mbajtur familjen të bashkuar ka heshtur madje ka bërë mikesha dy motrat. Ajo ka shtuar se ka patur hyrje dhe dalje familjare me ta, madje edhe kanë udhëtuar së bashku.
Ndërkohë avokati i 59-vjeçarit, tha se klienti i tij ka shprehur pendesë për krimin e kryer dhe gjendja e tij psikologjike dhe shëndetësore është e renduar.
“Përsa i përket cilësimit ligjor nuk kemi qenë dakord. Fillimisht është akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese dhe kjo duhej të ishte kjo dispozita. Ai është i martuar de fakto. Për i përket bashkëjetesës shoqëria shqiptare nuk e pranon poligaminë. Prokuroria ka ndryshuar akuzën në versionin e dytë, në cilësimin ligjor neni 79 c, “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, që është më e rënda në kodin penal”, u shpreh avokati.





