Kancelari gjerman Olaf Scholz, do të mbajë një vizitë javën e ardhshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas agjendës së tij, Serbia, Kosova, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, janë vendet të cilat do t’i vizitojë.
Së pari, Scholz do të jetë në Serbi dhe më pas po brenda asaj ditë në 10 qershor, do të vizitojë edhe Kosovën.
Sipas zëdhënësit të kancelarit gjerman Wolfgang Bichner, ndër të tjera është planifikuar një vizitë në trupat gjermane të KFOR-it në Kosovë.
Më pas, Scholz do të shkojë në Selanik, me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, ku do të bashkohet në mbrëmje me përfaqësues të vendeve të nismës rajonale “Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)”.
Të nesërmen, më 11 qershor, kancelari gjerman shkon në Maqedoninë e Veriut dhe më pas për në Bullgari.
Sipas një deklarate nga zyra e kancelarit, fokusi i udhëtimeve të Olaf Scholz do të jetë perspektiva e BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimi i bllokadave dypalëshe. Përveç kësaj, tema qendrore do të jetë reagimi i mëtejshëm i përbashkët ndaj luftës së agresionit rus kundër Ukrainës.
Siç thuhet në faqen zyrtare të zyrës së kancelarit gjerman, më shumë detaje rreth programit të udhëtimit do të bëhen të ditura në ditët në vijim.
Vizita e kancelarit Scholz në rajon, javën e ardhshme, u konfirmua në Berlin edhe nga DW në gjuhën serbe.
Temat kryesore që do të diskutohen janë: Perspektiva e BE-së, kontributi i Gjermanisë në tejkalimin e bllokadave dypalëshe dhe lufta në Ukrainë.





