Kryeministri Edi Rama ka dhënë një lajm të mirë për shqiptarët në luftën kundër COVID-19. Rama tha se është dakordësuar me kompaninë amerikane të Pfizer dhe se në fillim të javës së tretë të janarit do të vijnë 10750 dozat e para të vaksinës kundër COVID-19.
“Kemi dakordësuar me akt normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga Pfizer. Sasia e autorizuar menjëherë. 10750 dozat e para do mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit. Mbi 30 mijë doza të tjera në shkurt dhe të tjerat në muajt e tjerë.
Ky nuk është fundi i përpjekjes sonë për të garantuar që asnjë dozë e vaksinës të mos mungojë deri në fund. Do vazhdojmë të përpiqemi me këmbëngulje dhe pa pushim që plani i vaksinimit të vazhdojë sipas parashikimeve”, deklaroi Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se vendi ynë ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës kundër koronavirusit.
“Në prag të ndërrimit të viteve, Shqipëria ka siguruar 500 000 dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer. Shopping-u im në Nju Jork ka mbaruar me sukses”,- tha ai.
Kreu i qeverisë shtoi se një pjesë e tyre do të shkojë edhe për mjekët e infermierët e Kosovës.





