Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani janë dy motrat që mbetën viktima të krimit makabër, paraditen e sotme në kryeqytet. Autori, i identifikuar si Përparim Ademi u shpall në kërkim dhe u vu në pranga pak orë pas krimit.

Siç mësohet, Kristina dhe Përparimi kanë bashkëjetuar me njëri-tjetrin, por një konflikt i çastit mes tyre ka çuar në një fund tragjik.

Drejtori i Policisë se Tiranes, Rebani Jaupi në një deklaratë për mediat është shprehur se në vendin e ngjarjes është gjetur arma e krimit, një automatik që autori ka përdorur për krimin.

“E ka lënë automatikun në banesë dhe është larguar në këmbë pas pallatit. Kemi organizuar strukturat policore në të gjithë pikat kryesore të qytetit për të bërë të mundur kapjen e autorit të kësaj ngjarje të rëndë. Arsyeja e kësaj ngjarje dyshohet se ka qenë vijimi i bashkëjetesës. Në vendngjarje kanë qenë dhe fëmijët e një nga viktimave”, ka thënë ai.

Ndërkohë, pas arrestimit të Ademit, policia njofton se “si rezultat i rrethimit të zonës, pikave të kontrollit dhe trysnisë së ushtruar nga shërbimet e Policisë u bë e mundur vënia në pranga e autorit Përparim Ademi.

Ky shtetas aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore”.